Të paktën 17 persona kanë humbur jetën pas përmbytjeve të fuqishme që përfshinë Nepalin dhe disa zona të Tibetit në Kinë. Fatkeqësia ka shkatërruar banesa e rrugë, ndërsa ka dëmtuar rëndë ura dhe infrastrukturën e energjisë.
Ministri i Jashtëm i Nepalit, Sisir Kanaal, tha se përmbytja u shkaktua nga një tërmet, i cili provokoi një rrëshqitje masive dheu. Dheu bllokoi lumin Bhote Koshi dhe më pas solli daljen e tij nga shtrati.
Të lidhura
None found
Gjatë një takimi në Dhomën e Përfaqësuesve, Kanaal deklaroi se tërmeti u regjistrua në orën 8:37 të mëngjesit. “Tërmeti ndodhi sot në orën 8:37 të mëngjesit dhe për shkak të tij ndodhi një rrëshqitje e madhe dheu, e cila bllokoi lumin dhe duket se kjo shkaktoi përmbytjen”, tha ai.
Studimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) konfirmoi se në atë zonë, në të njëjtën kohë, ishte regjistruar një tërmet me magnitudë 4.4 ballë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm. Edhe zyrtarët kinezë kanë shprehur shqetësimin për “humbje të mëdha”.
Në Nepal, ujërat kanë shkatërruar shtëpi dhe rrugë, ndërsa në Tibet raportohet për persona të zhdukur në qarkun Gyirong. Një rrëshqitje dheu goditi gjithashtu një pikëkalim kufitar mes dy vendeve.
Zyrtarët bëjnë me dije se 384 turistë janë të zhdukur, mes tyre 291 shtetas të huaj nga India, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Malajzia.
Ndër zonat më të prekura janë Syapru Besi dhe Timure, në distriktin malor Rasuwa, ku banojnë rreth 50,000 njerëz. Operacionet e shpëtimit janë vështirësuar, pasi helikopterët nuk mund të ulen për shkak të nivelit të lartë të ujit të lumit, i cili është rritur shumë mbi kuotën normale.
Pamjet televizive shfaqën banesa të marra nga rrjedha, automjete që lundronin në ujë dhe një urë metalike të tërhequr nga rryma. Dëshmitarët i thanë Reuters se përmbytjet kishin mbuluar fshatra të tëra.
Administratori i distriktit, Narendra Pariyar, paralajmëroi se mund të ketë shumë viktima dhe dëme të mëdha materiale. Ai u bëri thirrje banorëve që jetojnë pranë brigjeve të lumit Bhote Koshi të largohen drejt zonave më të larta.
