Ditën e sotme kryeministri Edi Rama publikoi një postim dedikuar 22 vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Rama zgjodhi pikërisht të ndante fjalimin e presidentit Bill Clinton në Twitter, duket se ka marrë vëmendjen e mediave serbe si një provokim i rëndë.
“Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”,- shkruhet në postimin e Ramës.
”Blic”, e ka titulluar shkrimin “Provokim i ri nga Edi Rama, përvjetorin e nisjes së bombardimeve e quan një datë të pashlyeshme”, duke shkruar se kreu i qeverisë shqiptare i krahasoi serbët me fashistët.
Ky postim është marrë si një provokim nga pala serbe dhe sipas raportimeve në mediat e tyre, në Shqipëri po bëhet festë për vdekjen e serbëve gjatë bombardimeve.