Malisheva është tronditur sërish nga një ngjarje tragjike, ku një grua humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri. Për rastin dyshohet bashkëshorti i saj, ndërsa sipas raportimeve arma e përdorur ishte e pajisur me leje.
Të lidhura
None found
Ngjarja ka rikthyer debatin për posedimin e armëve dhe nevojën për masa parandaluese më të fuqishme, sidomos në familjet ku bashkëshortët përballen me konflikte ose probleme të vazhdueshme.
Juristi Blerim Burjani ka deklaruar për “Bota sot” se procedurat për pajisjen me leje armësh duhet të bëhen më të rrepta. Sipas tij, problemet brenda familjes nuk zgjidhen me armë, por përmes dialogut dhe ndihmës profesionale të psikologëve.

Burjani ka vlerësuar gjithashtu se rritja e ndërgjegjësimit shoqëror dhe fuqizimi i Qendrave për Punë Sociale janë hapa të rëndësishëm për parandalimin e rasteve të tilla.
Ai ka theksuar se luftimi i dhunës në familje nuk mund të mbështetet vetëm te policia, institucionet e rendit dhe ashpërsimi i dënimeve. Sipas tij, një rol të rëndësishëm duhet të ketë edhe trajtimi profesional i çifteve dhe ndërtimi i një komunikimi të shëndetshëm mes tyre.
“Problemet familjare nuk zgjidhen përmes armëve, por me bisedë dhe me ndihmën e psikologut. Për këtë arsye, krahas forcimit institucional, nevojitet edhe më shumë vetëdijesim shoqëror dhe fuqizim i Qendrave për Punë Sociale”, ka thënë Burjani.
Juristi ka nënvizuar se shumë çifte në Kosovë nuk kanë arritur të krijojnë mirëkuptim dhe komunikim normal. Ai ka shtuar se ndërhyrja e psikologëve mund të ndihmojë në ruajtjen e martesave dhe në parandalimin e dhunës brenda familjes.
“Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit apo rritja e dënimeve. Nevojitet një nivel më i lartë ndërgjegjësimi, ndërsa çiftet duhet të kenë komunikim të shëndetshëm dhe të marrin trajtim nga psikologët kur përballen me probleme”, është shprehur ai.
Burjani ka kërkuar që institucionet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë çifteve të reja dhe të investojnë më shumë në parandalimin e konflikteve familjare, në vend që të ndërhyjnë vetëm pasi situata të përshkallëzohet.
“Asnjë shtet nuk mund t’i zgjidhë konfliktet mes bashkëshortëve vetëm përmes masave ndëshkuese. Zgjidhja duhet të kalojë përmes psikologëve dhe edukimit për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha martesore”, ka deklaruar Burjani.
Ai ka bërë të ditur se çiftet e reja duhet të përfshihen në trajtime nga institucionet përkatëse. Sipas tij, mbi 1,400 shkurorëzime janë regjistruar gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, çka e bën situatën aktuale dhe numrin e divorceve tregues të nevojës për masa konkrete institucionale.
