Një 24-vjeçare u shpëtua pas pesë ditësh makthi, pasi ish-partneri i saj e kishte mbajtur të mbyllur në një bodrum, të lidhur me zinxhirë pas një shtrati dhe me gojën të bllokuar për të penguar që zëri i saj të dëgjohej nga jashtë.
Policia Ushtarake Braziliane e gjeti gruan në qytetin Águas Lindas de Goias, pesë ditë pasi ajo ishte marrë peng.
Të lidhura
None found
Familja e kishte denoncuar zhdukjen e saj që të hënën, më 17 gusht, duke bërë që autoritetet të nisnin menjëherë hetimet.
Gjatë verifikimeve, dyshimet kryesore u përqendruan te ish-partneri i 24-vjeçares. Pas mbledhjes së të dhënave, efektivët e mbajtën nën vëzhgim dhe vunë re ndryshime në sjelljen dhe rutinën e tij.
Gjurmët i çuan oficerët drejt një banese me qira në një lagje, e cila ishte e rrethuar dhe e siguruar nga jashtë. Pasi dëgjuan zhurma që vinin nga brenda, policët vendosën të ndërhynin dhe në një nga dhomat gjetën viktimën të lidhur pas shtratit.
“Në një nga dhomat, viktima u gjet e izoluar, me gjymtyrët e sipërme e të poshtme dhe qafën të lidhura me litarë, pranga dhe zinxhir. Ajo kishte gjithashtu vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të mungesës së oksigjenit”, deklaroi Policia Ushtarake.
Sipas autoriteteve, 24-vjeçarja mbante një maskë gazi, e cila përdorej që fqinjët të mos dëgjonin thirrjet e saj. Policia tha se ajo ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur gjatë 5 ditëve dhe se në banesë kishte ushqime e ujë të mjaftueshëm, çka tregonte se i dyshuari kishte planifikuar ta mbante të burgosur edhe për disa ditë të tjera.
Efektivët i dhanë ndihmën e parë dhe njoftuan zjarrfikësit, të cilët hoqën zinxhirët nga trupi i saj. Më pas, gruaja u transportua në spital, ku vijon të qëndrojë e shtruar, por gjendja e saj është e qëndrueshme.
Në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri e kalibrit 9 mm. Ish-partneri i saj u pikas ndërsa drejtonte një automjet, por nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi. Pas ndjekjes, policia arriti ta arrestonte. Ai ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuzat për rrëmbim, përdhunim dhe ndalim të paligjshëm.
