ZYRTARE/ Pas largimit emocionues nga Vllaznia, Imami i bashkohet Dinamos

Eni Imami rikthehet te Dinamo pas 5 vitesh e gjysmë. Mbrojtësi 28-vjeçari është zyrtarizimi i radhës për blutë kryeqytetas në këtë merkato verore, një transferim që përflitej prej javësh, por vetëm tashmë është bërë zyrtar.

Pas eksperiencës pozitive me Vllazninë me të cilën fitoi Kupën e Shqipërisë dhe u paraqit denjësisht në Europë, Imami është rikthyer te klubi ku u bë i njohur si futbollist për të lënë shenjë dhe pse jo për të tentuar titullin kampion me blutë.

“Mbrojtësi Eni Imami është firma e radhës për Dinamon. 28-vjeçari pas eksperiencave në disa klube në Superiore rikthehet në shtëpi, aty ku nisi karriera futbollistike. Imami është bashkuar sot me skuadrën në Pogradec”, lexohet në komunikatën për shtyp të Dinamos.

Te Dinamo, Imami gjen edhe mbrojtësin e majtë Aleksander Isaevski, të cilin e kishte shok skuadre te Vllaznia, ndërkohë që afrimi i 28-vjeçarit rrit cilësinë në mbrojtjen e Dinamos.


Shtuar 4.08.2021 19:02