Plagoset një zjarrfikës në Gjirokastër, dërgohet me urgjencë në spital

Një punonjës zjarrfikëseje, Rezarto Sinani, 23 vjeç ka mbetur i plagosur pasditen e sotme. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Saraqinisht, ku zjarrfikësi ishte në krye të detyrës, duke luftuar me flakët.

Por, përballja me zjarrin ka bërë që zjarrfikësi të plagoset dhe të ndryshë këmbën. Ai është dërguar në spitalin e Gjirokastrës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Vatra e zjarrit në njësinë administrative Antigonë, në fshatin Saraqinisht të Gjirokastrës është aktivizuar mesditën e sotme. Forcat e ushtrisë dhe të zjarrfikëses ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po përpiqen të stabilizojnë situatën. Era që fryn favorizon flakët dhe bën që ato të përhapen më shpejt në të gjithë vendin.


Shtuar 4.08.2021 19:10