Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, dy vende anëtare të NATO-s që njëkohësisht mbeten rivale, janë përfshirë sërish nga tensionet. Këtë herë, në qendër të mosmarrëveshjes janë planet për energjinë e rinovueshme dhe krijimin e parqeve detare në Egje.
Të lidhura
None found
Ankaraja reagoi fillimisht përmes Ministrisë së Jashtme dhe një ditë më vonë edhe përmes Ministrisë së Mbrojtjes kundër kuadrit të ri të miratuar nga Greqia për vendosjen e projekteve të energjisë së rinovueshme. Sipas palës turke, harta greke përfshin ishuj, formacione shkëmbore dhe ishuj të vegjël, për të cilët pretendon se sovraniteti nuk i është njohur Greqisë nga traktatet ndërkombëtare.
Përmes këtij qëndrimi, Turqia ka rikthyer në debat konceptin e “zonave gri” në Egje, një teori që Greqia e ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë prej dekadash.
Ky zhvillim u shënua vetëm pak ditë pas përplasjes së mëparshme lidhur me parqet detare. Më 15 gusht, Turqia shpalli me dy dekrete presidenciale krijimin e dy parqeve kombëtare detare: i pari në Egjeun verior, në hapësirën mes Limnos dhe Samothrakës, ndërsa i dyti në Mesdheun Lindor, pranë Kastelorizos.
Greqia kundërshtoi këto masa, duke deklaruar përmes Ministrisë së Jashtme se zonat që kalojnë përtej ujërave territoriale turke dhe që, sipas Athinës, ndodhen brenda shelfit kontinental grek, janë të paligjshme dhe nuk prodhojnë asnjë të drejtë juridike.
Turqia, ndërkohë, këmbëngul se në Egje dhe në Mesdhe duhet të shmangen nismat e njëanshme, ndërsa bën thirrje për bashkëpunim mes dy vendeve bregdetare.
Më herët, Greqia kishte shpallur parqet e saj detare në Jon dhe në Cikladet, grupin e ishujve grekë që ndodhet në juglindje të vendit. Athina ka theksuar se këto zona shtrihen plotësisht brenda ujërave territoriale greke.
Pas gati 3 vitesh të periudhës së quajtur “ujërat e qeta”, e krijuar në bazë të pakteve mes dy vendeve, energjia e gjelbër dhe mbrojtja e mjedisit po sjellin përsëri në sipërfaqe mosmarrëveshjet e hershme greko-turke për sovranitetin dhe zonat detare në Egje.
