Një ofensivë masive ruse e ndërmarrë gjatë natës me raketa dhe dronë ka lënë të paktën 16 të vdekur dhe më shumë se 40 persona të plagosur në Kiev dhe në territoret përreth.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, ushtria ruse përdori dhjetëra raketa kruiz, raketa balistike dhe hipersonike, si edhe 168 dronë. Autoritetet ukrainase njoftuan se mbrojtja ajrore arriti të neutralizojë rreth 90% të dronëve dhe pjesën më të madhe të raketave kruiz.
Të lidhura
None found
Forcat Ajrore nuk bënë të ditur sa raketa balistike u lëshuan dhe as nëse ndonjë prej tyre u kap nga sistemet e mbrojtjes.
Dëmet më të rënda në kryeqytet u shënuan në lagjen Solomiansky, ku u shembën katet e sipërme të një ndërtese nëntëkatëshe. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, kërkoi që e premtja të shpallet ditë zie.
Goditje u raportuan edhe në dy zona të tjera të qytetit. Mes objekteve të dëmtuara ishin një shkollë dhe një spital për fëmijë, ndërsa dëme pati gjithashtu në hapësira dhe depo jo-rezidenciale.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmet me avionë dhe dronë kishin si objektiv Kievin dhe rajonet përreth. Sipas versionit të Moskës, u goditën ndër të tjera objekte ku prodhohen pjesë për dronë, një magazinë ushtarake dhe një qendër furnizimi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi aleatët e vendit të tij, duke thënë se ata nuk i kanë plotësuar në kohë rezervat e raketave për mbrojtjen ajrore. Ai paralajmëroi se mungesa e këtyre municioneve po shkakton humbje jetësh.
Gjatë muajve të fundit, Rusia ka rritur përdorimin e raketave balistike. Për këtë arsye, Zelensky u ka bërë vazhdimisht thirrje partnerëve të Ukrainës që të dërgojnë raketa interceptuese për sistemet Patriot.
Sipas presidentit ukrainas, Patriot është i vetmi sistem që Ukraina disponon dhe që mund të rrëzojë një raketë balistike.
“Raketat interceptuese për sistemet Patriot ende nuk janë zëvendësuar dhe ato duhen çdo ditë”, shkroi Zelensky në Telegram. “Çdo raketë shtesë shpëton jetën e popullit tonë”, theksoi ai.
