Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen nëse një gjë të tillë e kërkon opozita. Në njoftimin për media, BDI shprehet se e mirëpret këtë gatishmëri.
Të lidhura
None found
Partia thotë se tashmë është e nevojshme që deklarata e kryeministrit të pasohet nga hapa konkretë, duke kërkuar që brenda pak ditësh të caktohet afati më i shpejtë kushtetues dhe të nisin përgatitjet për procesin zgjedhor. Sipas BDI-së, qytetarët duhet të kenë mundësinë të vendosin për të ardhmen dhe drejtimin e vendit.
“E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik. Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione”.
BDI vlerëson se, nëse oferta e Mickoskit është serioze, nuk duhet të ketë vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. “Prandaj, BDI kërkon që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim”, thuhet në reagim.
“Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, përfundon njoftimi i BDI-së./Telegrafi/
