Policia e Filadelfias është vënë në kërkim të një burri që mbante një maskë të personazhit horror Chucky dhe dyshohet se ka përndjekur, kërcënuar e terrorizuar në mënyrë të rastësishme të paktën gjashtë persona.
Autoritetet kanë shpërndarë video dhe fotografi të të dyshuarit, duke kërkuar nga qytetarët të përcjellin çdo të dhënë që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e tij.
Të lidhura
None found
Një nga episodet e dokumentuara ka ndodhur pranë Bashkisë së Filadelfias, rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar. Në pamjet e publikuara, personi i maskuar duket teksa ndjek një grua që po vraponte në rrugë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Policia bëri të ditur se viktima, një grua 40 vjeçe, u ndoq nga i dyshuari, i cili iu afrua duke i drejtuar telefonin celular dhe e pyeti: “Je gati të vdesësh?”. Meqë ajo nuk iu përgjigj, ai e përsëriti të njëjtën pyetje. Gruaja, e frikësuar, nisi të largohej me vrap dhe pësoi dëmtime në këmbë gjatë përpjekjes për të shpëtuar.
Një tjetër kamerë sigurie ka regjistruar 40-vjeçaren duke vrapuar në një rrugë me pesë korsi, me të dyshuarin që e ndiqte nga pas. Pasi nuk arriti ta kapte, ai ndërroi drejtim.
Jameka, një dëshmitare e ngjarjes, deklaroi se e pa burrin duke ndjekur gruan dhe u përpoq ta njoftonte për rrezikun.
“Fillova ta përshëndesja nga ana tjetër e kryqëzimit dhe t’i thoja: ‘Hej, është dikush pas teje – shiko pas teje!’. Ajo më dëgjoi dhe më pas filloi të vraponte”, u shpreh Jameka për mediat lokale.
Sipas rrëfimit të saj, pas këtij momenti i dyshuari tentoi të futej me forcë në një kafene. Kur nuk e lejuan të hynte, ai e drejtoi vëmendjen te dëshmitarja. Ajo pretendon se burri u përpoq ta sulmonte, përpara se të largohej me vrap.
I kërkuari është përshkruar nga policia si një burrë me ngjyrë, me gjatësi rreth 1.68 metra dhe i moshës nga 16 deri në 20 vjeç.
Në fotografitë e bëra publike nga hetuesit, ai shihet duke mbajtur maskën e Chucky-t, si dhe një çantë shpine me katrorë blu.
Sipas autoriteteve, i dyshuari ka kërcënuar dhe ngacmuar disa njerëz, ndërsa qeshte me viktimat dhe i pyeste nëse ishin “gati të vdisnin”.
Ndaj tij rëndojnë akuza për kërcënime terroriste, ngacmim, sulm, rrezikim të pamatur dhe frikësim. Policia bën të ditur se mund të ngrihen edhe akuza të tjera, mes tyre ajo për armëmbajtje pa leje.
