Një studim i ri zbulon se temperaturat ekstreme mund të përbëjnë për të moshuarit një kërcënim shumë më të madh nga sa vlerësohej më parë. Edhe nëse temperatura globale rritet vetëm 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale, personat mbi 60 vjeç mund të ekspozohen ndaj stresit të rrezikshëm nga nxehtësia.
Të lidhura
None found
Gjetjet, të publikuara në The Lancet Public Health, tregojnë se kjo grupmoshë është veçanërisht e cenueshme, sepse organizmi i të moshuarve has më shumë vështirësi në përballimin e temperaturave të larta.
Me avancimin e moshës pakësohet djersitja, shtohet ngarkesa mbi zemrën dhe enët e gjakut humbasin një pjesë të aftësisë për t’u zgjeruar në mënyrë efikase. Për pasojë, gjatë ditëve me vapë ekstreme, trupi e ka më të vështirë të ftohet.
Sipas studiuesve, përllogaritjet e deritanishme të kufijve të rrezikshëm të temperaturës nuk i kanë marrë sa duhet në konsideratë dallimet ndërmjet grupmoshave.
Në kërkimet e mëparshme, pragjet përcaktoheshin kryesisht duke u bazuar te të rinjtë dhe më pas përdoreshin edhe për të moshuarit. Një qasje e tillë mund ta ketë paraqitur më të ulët se ç’është realisht rrezikun për këtë grup, përfshirë edhe problemet kardiovaskulare.
Ekspertët vlerësojnë se te të rriturit më të rinj stresi i rrezikshëm nga nxehtësia mund të shfaqet kur ngrohja arrin rreth 4°C. Për të moshuarit, ndërkaq, i njëjti kërcënim mund të paraqitet që me një rritje prej 1.5°C mbi nivelet para-industriale.
Me çdo shkallë tjetër të shtuar në temperaturën globale, pritet të rritet ndjeshëm edhe numri i personave të ekspozuar për periudha të gjata ndaj stresit të pakompensueshëm të nxehtësisë.
Kjo gjendje ndodh kur organizmi nuk është më në gjendje ta ulë në mënyrë efikase temperaturën e vet. Në rrethana të tilla shtohen mundësitë për dehidratim, kolaps dhe rëndim të sëmundjeve që personi ka tashmë.
Më të rrezikuar janë të moshuarit me sëmundje të zemrës, të veshkave ose me probleme të tjera kronike. Kërcënimi pritet të thellohet nga zhvillimi paralel i dy prirjeve: rritja e temperaturave globale dhe zgjerimi i popullsisë mbi 60 vjeç.
Studimi parashikon se deri në vitin 2050 numri i njerëzve që i përkasin kësaj grupmoshe do të arrijë afërsisht në 2.1 miliardë.
Pasojat pritet të godasin më fort vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, paralajmërojnë ekspertët, pasi atje mundësitë për mbrojtje nga temperaturat ekstreme janë më të pakta. Nëse ngrohja globale vazhdon të përshpejtohet, studimi vëren gjithashtu se disa rajone tropikale dhe subtropikale mund të bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u banuar, sidomos nga të moshuarit.
Përfundimi i ekspertëve është i drejtpërdrejtë: valët e të nxehtit nuk duhen parë thjesht si dukuri të motit, por si një kërcënim serioz për shëndetin, pasojat e të cilit prekin në radhë të parë të moshuarit.
