Një aksident i rëndë në Irlandë i ka marrë jetën pesë adoleshentëve, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Përplasja ndodhi pasi një automjet po udhëtonte në kahun e kundërt të autostradës.
Të lidhura
None found
Policia irlandeze bëri të ditur se të pestë viktimat ishin djem të rinj. Trupat e tyre janë nxjerrë nga vendi ku ndodhi aksidenti.
Automjeti që lëvizte në drejtim të gabuar u përplas ballë për ballë me një makinë tjetër, ku ndodheshin katër persona: tri gra, dy prej të cilave ishin në të 30-at dhe një në të 20-at, si edhe një djalë. Të gjithë të plagosurit u transportuan me urgjencë në spital, me lëndime të rënda.
Autoritetet deklaruan se anëtarët e familjeve po udhëtonin normalisht kur u goditën nga makina që po qarkullonte në drejtimin e gabuar. Sipas tyre, një sjellje e tillë në autostradë është e papërgjegjshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme.
Rasti vjen vetëm një javë pas një tjetër përplasjeje ballore në autostradën M50 në Dublin, ku u plagosën nëntë persona për shkak të një automjeti që po lëvizte në kahun e kundërt. Pas këtyre ngjarjeve, policia ka shtuar kontrollet në rrugë për të identifikuar dhe ndaluar drejtuesit që udhëtojnë në drejtimin e gabuar. Ndërkohë, aksidenti ku humbën jetën pesë adoleshentët vijon të hetohet nga autoritetet.
