Hayden Panettiere, aktorja amerikane e njohur për interpretimet në serialet “Heroes” dhe “Nashville”, ka vdekur në moshën 36-vjeçare.
Të lidhura
None found
Ajo u gjet pa ndjenja, në arrest kardiak, të dielën në një rezidencë në Greenville të Karolinës së Jugut, ku po qëndronte përkohësisht. Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville.
Shërbimet e emergjencës mbërritën pas një telefonate në 911, ku raportohej për një arrest kardiak. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë, aktorja u shpall e vdekur rreth 30 minuta pas telefonatës.
Autopsia e zhvilluar të hënën nuk evidentoi trauma që mund të kishin ndikuar në vdekjen e saj. Shkaku përfundimtar dhe mënyra e vdekjes do të përcaktohen pas përfundimit të analizave shtesë, ndërsa deri tani nuk është publikuar një shkak zyrtar.

Policia e Greenville bëri të ditur se telefonata në 911 ishte kryer nga një person i njohur i Panettiere, pa dhënë të dhëna të mëtejshme për identitetin e tij.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të Hayden-it tonë të dashur. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë e natyrës që u solli dashuri dhe gëzim të pamasë të gjithë atyre që e njihnin – dhe miliona njerëzve që e panë në ekran”, deklaroi babai i saj, Skip Panettiere, përmes përfaqësuesit të aktores.
E lindur më 21 gusht 1989 në Palisades, New York, Panettiere e nisi karrierën në moshën 11 muajshe, kur u shfaq në reklama.
Mes viteve 1996 dhe 2000, ajo interpretoi Lizzie Spaulding në telenovelën e CBS, “Guiding Light”. Më pas, aktorja mori pjesë në një numër të madh filmash dhe serialesh.

Gjatë viteve 2000, emri i saj u bë gjithnjë e më i njohur. Ajo luajti përkrah Denzel Washington në filmin “Remember the Titans” të vitit 2000, ndërsa më vonë u shfaq në “Ice Princess”, “Bring It On: All or Nothing” dhe “I Love You Beth Cooper”.
Famën ndërkombëtare e arriti me rolin e Claire Bennet në serialin e NBC-së “Heroes”. Personazhi ishte një nxitëse tifozësh me aftësi shëruese, ndërsa seriali u transmetua nga viti 2006 deri në vitin 2010.
Në vitin 2011, ajo luajti Kirby Reed në “Scream 4” dhe u rikthye në të njëjtin rol disa vite më pas, në “Scream VI”.

Panettiere ishte gjithashtu pjesë e serialit muzikor-dramë “Nashville”, ku portretizoi Juliette Barnes dhe luajti së bashku me Connie Britton nga viti 2012 deri në vitin 2018.
Pas një periudhe të gjatë suksesi në televizion dhe në kinema, aktorja u shfaq më rrallë në publik. Ajo foli hapur për vështirësitë që kishte përjetuar me varësinë dhe shëndetin mendor.
Më herët këtë vit, Panettiere botoi kujtimet e saj, “This Is Me A Reckoning”. Në libër, ajo rrëfeu për përvojën si yll fëmijësh, depresionin pas lindjes, varësinë, procesin e rikuperimit dhe dhunën në familje.
Aktorja kishte diskutuar publikisht edhe për vendimin që kujdestaria e vajzës së saj, Kaya, t’i kalonte ish-partnerit, ish-boksierit profesionist ukrainas Wladimir Klitschko. Sipas saj, në atë periudhë po përballej me keqpërdorimin e substancave.
Panettiere kishte vetëm një fëmijë, vajzën 11-vjeçare Kaya.
Në vitin 2023, ajo humbi vëllain e saj, aktorin Jansen Panettiere. Ai vdiq në moshën 28-vjeçare për shkak të një zemre të zmadhuar, të shoqëruar me komplikime të valvulës aortale.
Ajo kishte folur për dhimbjen e kësaj humbjeje dhe për marrëdhënien e ngushtë me të vëllanë. “Nuk kishte asgjë në jetën time që të më bënte të ndihesha si humbja e gjysmës time”, ishte shprehur ajo në një intervistë atë vit.
Vitet e fundit, aktorja ishte rikthyer në ekran. Ndër projektet e saj të fundit ishin filmat “Amber Alert”, i publikuar në vitin 2024, dhe “Sleepwalker”, në vitin 2026.
SAG-AFTRA shprehu ngushëllimet për “vdekjen e papritur të Hayden Panettiere”, duke vlerësuar karrierën e saj të gjatë në televizion dhe film.
Përveç aktrimit dhe këndimit, Panettiere njihej për angazhimin në çështjet e shëndetit mendor, mbrojtjen e kafshëve dhe problematikat mjedisore.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ajo mbështeti publikisht Ukrainën dhe krijoi një fond për sigurimin e furnizimeve mjekësore dhe pajisjeve mbrojtëse për ukrainasit.
Lajmi për vdekjen e saj ka sjellë reagime nga miqtë, kolegët dhe fansat. Bethany Joy Lenz, e cila kishte luajtur me të në “Guiding Light”, e cilësoi lajmin të pabesueshëm dhe tha se Panettiere ishte ende shumë e re, pasi “kishte ende shumë jetë” për të jetuar.
