Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë pranuar të takohen me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për të diskutuar zgjidhjen e ngërçit politik. Megjithatë, në kërkesat e tyre për propozimin e përfaqësuesve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të dyja partitë i janë drejtuar asaj në cilësinë e u.d. të Presidentes.
Të lidhura
None found
Në shkresën e datës 14 gusht, PDK-ja i ka kërkuar Haxhiut që, duke u mbështetur në kompetencat e saj, t’ia përcjellë propozimet për dy anëtarët që do ta përfaqësojnë këtë parti në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. PDK-ja është grupi i dytë më i madh parlamentar.
Kërkesa e PDK-së.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar një kërkesë te Albulena Haxhiu, ku ajo cilësohet si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës. Në lëndën e shkresës është përfshirë nominimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Shkëlqesisë suaj, znj. Haxhiu, në përputhje me nenin 139.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 61 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 7 qershor 2026, të certifikuara sipas Vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 08.07.2026, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes kësaj shkrese, ua përcjell emrin e të nominuarit për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në kërkesën e LDK-së.
Kërkesa e LDK-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur sot se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Albulena Haxhiut për një takim me krerët e partive politike.
Abdixhiku ka sqaruar se LDK-ja është e gatshme të takohet me kryetarët e partive, por në situatën aktuale, sipas tij, mund të zhvillojë vetëm një takim me Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive. Dhe në këtë rast, takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me zotin Kurti, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Në pikëpamjen tonë, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit të Kosovës, njëra nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Dhe në këtë drejtim, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë”, ka deklaruar Abdixhiku në një prononcim për media vendore.
