Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulmet më të fuqishme të regjistruara gjatë vitit 2026. Nga goditjet ruse humbën jetën të paktën pesë persona dhe u dëmtua uzina më e madhe e çelikut në Ukrainë, ndërsa zyrtarët rusë raportuan se sulmet me dronë ukrainas shkaktuan të paktën gjashtë viktima.
Të lidhura
None found
Goditja ndaj uzinës së çelikut la të vdekur dy persona dhe plagosi 14 të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase. Kompania bëri të ditur se dëmet prekën strukturat kryesore të prodhimit, përfshirë sektorët e furnizimit me energji dhe furrat e larta, duke sjellë ndërprerje të pjesshme të veprimtarisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se “Kudo që rusët mund të arrijnë me raketat e tyre balistike, ata godasin infrastrukturën civile”. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se objektivat e sulmeve në Kiev ishin një kompani që prodhon pjesë për raketat ukrainase Flamingo dhe një fabrikë që prodhon komponentë për dronë.
Sipas zyrtarëve ukrainas, sulmet ruse shkaktuan disa vatra zjarri në Kiev, mes tyre edhe në tregun e librave Petrovka, ndërsa gjashtë persona u plagosën. Në zona të tjera të vendit, një person u vra në Sumy dhe dy të tjerë në rajonin e Zaporizhjas.
Ukraina ndërkohë realizoi një prej sulmeve më të mëdha me dronë që nga nisja e luftës kundër Rusisë, duke përdorur rreth 1 mijë mjete ajrore pa pilot. Ministria ukrainase e Mbrojtjes njoftoi se goditjet nxorën jashtë funksionit disa depo të mëdha ruse që shërbejnë për furnizimin e ushtrisë. Ushtria ukrainase deklaroi gjithashtu se kishte goditur një objekt në rajonin e Rostovit, ku prodhohet karburant për raketa.
