Flakët që shpërthyen të premten në parkun natyror të malit Fann, në pjesën perëndimore të Belgjikës, kanë marrë drejtim nga Gjermania, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të ndalur përhapjen e tyre.
Si pasojë e zjarrit janë përfshirë deri tani rreth 30 mijë hektarë tokë. Për shkak të rrezikut, qindra banorë të zonave pranë vatrës janë urdhëruar të largohen nga banesat.
Të lidhura
None found
Edhe pas ndërhyrjes së ekipeve gjatë natës, zjarri nuk është vënë nën kontroll. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në Belgjikë.
Situata vazhdon të mbetet e vështirë për t’u menaxhuar. Intensiteti i flakëve është dobësuar gjatë natës, por ndryshimi i shpeshtë i drejtimit të erës e ka bërë të paparashikueshme lëvizjen e zjarrit dhe ka penguar përpjekjet për ta kufizuar atë.
“Kushtet janë komplekse. Pavarësisht intensitetit më të ulët, erërat ndryshuan drejtim disa herë gjatë natës”, deklaruan autoritetet lokale.
Në operacion janë angazhuar zjarrfikës nga të gjitha pjesët e Belgjikës, krahas ekipeve të ardhura nga Gjermania dhe Luksemburgu. Ndihmë po japin gjithashtu ushtria dhe fermerët, të cilët po punojnë për ndërtimin e barrierave që synojnë të ngadalësojnë avancimin e flakëve.
Vëmendja kryesore e forcave të emergjencës është përqendruar në pjesën e zjarrit që po përparon drejt Gjermanisë. Autoritetet presin që temperaturat më të ulëta dhe lagështia më e lartë në orët e ardhshme të ndihmojnë në kontrollimin e situatës.
Ndërhyrja ndërlikohet edhe nga terreni, pasi zjarri ka përfshirë këneta të ndjeshme torfe dhe pyje pishe. Këto kushte rrisin vështirësinë e shuarjes dhe mundësinë e përhapjes së mëtejshme.
Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për Belgjikën duke dërguar tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës nga Republika Çeke, Suedia dhe Holanda.
Puna për shuarjen e flakëve vazhdon, ndërsa autoritetet po ndjekin nga afër drejtimin e zjarrit dhe rrezikun që ai paraqet për zonat e banuara pranë kufirit me Gjermaninë.
