LSDM reagoi pas kthimit të kryeministrit Hristijan Mickoski nga pushimet, duke e akuzuar se në vend të rezultateve konkrete u rikthye me deklarata dhe sulme ndaj opozitës, fermerëve dhe aktorëve të tjerë në vend.
Të lidhura
None found
Partia opozitare e përshkroi me ironi udhëtimin e tij si një “ekskursion shkencor dhe arsimor”, ndërsa tha se Mickoski po përpiqet të paraqitet si njohës i ekonomisë, turizmit, trafikut ajror, teknologjisë, arsimit dhe teknologjisë së informacionit.
Në reagimin e saj, LSDM përmendi edhe deklaratat e kryeministrit për pastrimin e tubave në Gostivar dhe pretendimin e tij se në vend janë duke u zbatuar aktualisht 1,200 projekte.
Opozita e akuzoi gjithashtu Mickoskin se shmang përgjigjet për çështjet që lidhen me historinë dhe Kishën Ortodokse Maqedonase. Sipas LSDM-së, ai vijoi të fajësojë opozitën për përhapje paniku pas raportimeve mbi ujin e dyshuar të ndotur në Shkup.
“Ata e dinin një ditë më parë për ‘sulmin hibrid’ ndaj ujit në Shkup. Dhe pse nuk bënë asgjë kur e dinin?”, deklaroi LSDM, duke theksuar se institucionet kërcënuan sërish me kallëzime dhe ndjekje penale.
LSDM kritikoi edhe mënyrën se si qeveria po sillet me fermerët. Sipas saj, fermerët nuk protestuan kundër blerësve, por iu drejtuan shtetit për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me subvencionet, blerjen dhe fondin IPARD.
Partia komentoi edhe investimet e prezantuara nga Mickoski si projekte që ndodhen në fazën e zbatimit. LSDM tha se bëhet fjalë për tre investime: një gjermane, një amerikane dhe një tjetër për të cilën kryeministri nuk dha detaje.
Në përmbyllje, LSDM iu rikthye me ironi deklaratës së Mickoskit se gjatë pushimeve kishte qëndruar me familjen dhe se kishte mësuar që “4+4 nuk janë tetë ditë, por shtatë”.
“Ai vetëm nuk na tregoi një gjë: kur do të shkojë në Gostivar për një dolli me ujë të Gostivarit?”, pyeti LSDM.
