Përpjekjet e Barcelonës për ta rikthyer Joao Cancelon në Camp Nou janë vështirësuar, pasi Al-Hilal ka ndryshuar pretendimet financiare për mbrojtësin portugez.
Të lidhura
None found
Bisedimet mes dy klubeve kishin përparuar dhe fillimisht ishte diskutuar një marrëveshje me vlerë rreth 8 deri në 10 milionë euro. Negociatat kishin mbërritur deri në pikën ku palët kishin krijuar edhe një mirëkuptim verbal.
Megjithatë, klubi saudit ka ndryshuar pozicion, duke e shtuar çmimin me rreth 5 milionë euro. Al-Hilal tani kërkon 15 milionë euro për ta lejuar largimin e Cancelos.
Barcelona nuk synon ta pranojë këtë kërkesë pa zhvilluar negociata të tjera. Deco pritet të përpiqet ta bindë klubin saudit që ta ulë sërish shumën, pasi katalanasit i konsiderojnë të tepërta 15 milionë eurot për një futbollist 32-vjeçar, kontrata e të cilit me Al-Hilal përfundon në vitin 2027.
Në interesimin e Barcelonës ka ndikuar edhe Hansi Flick. Trajneri e vlerëson Cancelon si një element të dobishëm për ekipin, veçanërisht për shkak se portugezi mund të aktivizohet në të dy krahët e repartit të mbrojtjes.
Cancelo ishte pjesë e Barcelonës gjatë gjysmës së dytë të sezonit 2025/26, kur u huazua nga Al-Hilal. Në atë periudhë, mbrojtësi regjistroi 23 paraqitje zyrtare, realizoi dy gola dhe kontribuoi me tri asistime.
Ndërkohë, vazhdimësia e tij në Arabinë Saudite mbetet e paqartë. Cancelo nuk u përfshi në skuadrën e Al-Hilal për takimin e parë të kampionatit kundër Al-Faisaly. Simone Inzaghi deklaroi se mungesa e tij lidhej me bashkimin e vonuar në përgatitjet parasezonale.
Situata mund të ndikohet gjithashtu nga kufizimet për futbollistët e huaj. Në organikën e Al-Hilal ndodhen aktualisht 13 lojtarë të huaj, ndërsa rregullorja e kampionatit saudit lejon që të regjistrohen vetëm 10 prej tyre.
Për rrjedhojë, klubi saudit duhet ta zvogëlojë numrin e futbollistëve të huaj që ka në skuadër.
Vetë Cancelo dëshiron të rikthehet në La Liga dhe ta vijojë karrierën te Barcelona. Klubi katalanas ishte zgjedhja e tij kryesore edhe gjatë huazimit në janar dhe qëndrimi i portugezit duket se vazhdon të jetë i njëjtë.
Barcelona e mban ende Cancelon në listën e objektivave për përforcimin e krahëve të mbrojtjes. Megjithatë, mundësia që ai të kthehet në Camp Nou do të përcaktohet nga përfundimi i bisedimeve gjatë ditëve të ardhshme.
