Të paktën 16,500 hektarë janë përfshirë nga zjarri në parkun më të madh natyror malor të Belgjikës, që ndodhet në lindje të vendit, sipas autoriteteve belge.
Vatra u shfaq rreth mesditës së djeshme në zonën pyjore të rajonit Fan, pranë kufirit me Gjermaninë, ndërsa flakët vijuan të zgjeroheshin gjatë natës.
Të lidhura
None found
Në mbështetje të operacionit, Bashkimi Evropian dislokoi në zonë tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës nga Republika Çeke, Suedia dhe Holanda. Në terren po angazhohen gjithashtu zjarrfikës nga i gjithë vendi, ushtarë me automjete uji me rreze të gjatë veprimi dhe fermerë.
Për shkak të terrenit të vështirë ku ndodhet zjarri, ndërhyrja për shuarjen e tij mund të kryhet kryesisht nga ajri. Operacioni po ndërlikohet edhe nga era, e cila ndryshon vazhdimisht drejtim dhe i shpërndan flakët në të gjitha anët.
Autoritetet e bashkisë lokale u kanë bërë thirrje banorëve të jenë gati në rast se do të nevojitet evakuimi.
Në njoftim, banorët këshillohen të përgatisin pa panik një çantë të vogël me sendet më të domosdoshme dhe, nëse kanë mundësi, ta vendosin atë në automjet, në mënyrë që të largohen shpejt nëse paraqitet nevoja.
Për t’u krijuar hapësirë shërbimeve të emergjencës, dy autostradat e zonës, N68 dhe N672, janë bllokuar. Ndërkaq, në autostradat A3 dhe A27, drejtuesit e mjeteve po njoftohen për rrezikun përmes tabelave paralajmëruese.
