Francis Coquelin është transportuar me urgjencë në spital, pasi ish-mesfushori i Arsenalit pësoi një përplasje të rëndë kokë më kokë gjatë një ndeshjeje në Francë.
Të lidhura
None found
Incidenti ndodhi në minutat e para të takimit, kur futbollisti francez u godit fuqishëm me Wilitty Younoussën, i cili po bënte debutimin e tij me Nantes.
Situata kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të stafeve mjekësore. Të dy lojtarët u larguan nga fusha me barela, ndërsa raportohet se në menaxhimin e ngjarjes u përfshi edhe Kryqi i Kuq Francez.
Pas përplasjes, Coquelin fatmirësisht ishte i vetëdijshëm. Megjithatë, ai u dërgua në spital për të kryer kontrollet dhe skanimet e nevojshme.
Raportimet e para bëjnë të ditur se ish-futbollisti i Arsenalit mund të ketë pësuar një frakturë në kockën pranë syrit. Një dëmtim i tillë mund ta mbajë larg fushave për disa muaj.
Coquelin, 35 vjeç, ishte kthyer gjatë kësaj vere te Laval, klubi i qytetit të tij të lindjes, duke firmosur si lojtar i lirë me skuadrën e Ligue 2. Lëvizja kishte një domethënie emocionale, pasi 18 vjet më parë ai ishte larguar nga akademia e Lavalit për t’u transferuar tek Arsenali.
Paraqitja ndaj Nantes ishte e dyta e tij që prej rikthimit. Coquelin kishte debutuar më herët në humbjen 3-1 përballë Rodez AF, por ndeshja pasuese mori një rrjedhë shqetësuese për të.
Kthimi i shumëpritur në klubin ku nisi rrugëtimin e tij tashmë mund të pasohet nga një fazë e gjatë rehabilitimi për Coquelin.
