Një e re nga diaspora shqiptare në Gjermani iu bashkua protestës popullore të zhvilluar përpara Kryeministrisë. Në fjalën e saj, ajo përcolli një mesazh emocional për lidhjen me atdheun, domethënien e patriotizmit dhe domosdoshmërinë që bashkatdhetarët të rikthehen në Shqipëri.
Duke treguar se vinte nga Gjermania, e reja deklaroi se kishte mbërritur koha për një Shqipëri të re. Ajo e përshkroi vendin herë si një nënë që pret te dera mes dhimbjeve dhe vuajtjeve të mëdha, e herë si një vashë nga jugu që dashuron të bukurën dhe të mirën. Sipas saj, Shqipëria mishëron një femër, një nënë, një vashëz dhe atë nënë fisnike që burrat e kësaj toke e thërrasin “nanë”.
Të lidhura
None found
Ajo tregoi se deri dje nuk e kishte konsideruar veten patriote, por gjatë këtyre ditëve kishte kuptuar domethënien e patriotizmit të vërtetë. Për të, të jesh patriot do të thotë të njohësh historinë tënde, të flasësh gjuhën amtare, të respektosh tokën e natyrën dhe të reagosh me zë të lartë kur vendi ka nevojë, veçanërisht në këtë moment.
Në vijim, e reja u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos dorëzohen përballë krizave, por të kontribuojnë së bashku në ndërtimin e së ardhmes.
Sipas saj, askush nuk mund t’ua marrë njerëzve shpresën, pasi ajo përbën fuqinë më të madhe të njeriut dhe nuk ekziston asnjë qeveri apo pushtetar që mund ta shuajë. Ajo tha se populli shqiptar është lodhur pasi ka kaluar shumë kriza e probleme, ndërsa ka parë drejtues që janë kujdesur për interesat e tyre dhe jo për qytetarët.
Duke iu përgjigjur pyetjes së shumë njerëzve se përse duhet të besojnë sërish, ajo bëri thirrje që shpresa të mos humbet. E reja theksoi se gjërat e bukura kërkojnë kohë dhe se rrugët e mëdha nuk mund të ndërtohen brenda një nate, ndërsa një Shqipëri e re krijohet nga kontributi i të gjithëve dhe jo vetëm nga një individ.
Në fund të fjalimit, ajo u ndal te të dhënat që lidhen me largimin nga Shqipëria të forcës aktive të punës, duke theksuar se pas shifrave qëndrojnë njerëzit tanë dhe jo thjesht numra.
Ajo deklaroi se në vitin 2025 në Shqipëri jetojnë 2.3 milionë shqiptarë, ndërsa 2.2 milionë ndodhen jashtë saj, çka do të thotë se 1 në 2 shqiptarë jeton jashtë vendit. Prej tyre, 400 mijë janë fëmijë, ndërsa 77% e personave që jetojnë në diasporë përbëjnë forcë pune aktive, e cila i mungon Shqipërisë dhe shfrytëzohet jashtë saj.
E reja theksoi se këto të dhëna nuk duhet vetëm të shkaktojnë trishtim, por edhe të alarmojnë e të mobilizojnë qytetarët. Ajo kërkoi që diaspora të rikthehet në zemrën e vendit, me dinjitet dhe nën kujdesin e një shteti që respekton njerëzit e saj.
