Pasditen e 14 gushtit, një vatër e madhe zjarri përfshiu zonën Paulesh–Vidhasasgjel, në fshatin Vidhasasgjel. Ngjarja u regjistrua në fshatin Paulesh të Njësisë Administrative Pajovë, në Bashkinë e Peqinit.
Zjarri nisi rreth orës 15:00, ndërsa u arrit të kontrollohej në orën 17:50. Në operacion ndërhynë shërbimet zjarrfikëse të disa bashkive, me praninë më të madhe të forcave të ardhura nga Elbasani, Cërriku, Belshi dhe Rrogozhina.
Të lidhura
None found
Të dhënat e zjarrfikësve tregojnë se flakët përshkuan afërsisht 3 hektarë sipërfaqe me ullishte, pyll, ferra dhe bimësi të egër. Mbi 2 hektarë u dogjën, ku dëmet kryesore u shkaktuan në ullishte dhe barishte.
Për shuarjen e vatrave u mobilizuan 22 efektivë zjarrfikës dhe 4 forca policore. Në terren u angazhuan edhe disa banorë të zonës, të cilët ndihmuan në përpjekjet për izolimin e flakëve.
Mbështetja e kërkuar nga strukturat zjarrfikëse të Elbasanit, Cërrikut, Belshit dhe Rrogozhinës bëri të mundur neutralizimin e zjarrit dhe frenimin e përhapjes së tij në sipërfaqe të tjera.
Dyshimet paraprake janë se zjarri mund të jetë ndezur qëllimisht. Deri në mbylljen e ndërhyrjes nuk ishte raportuar asnjë person i ndaluar për ngjarjen.
Nga flakët nuk pati persona të lënduar, ndërsa nuk u nevojit aktivizimi i shërbimit të urgjencës mjekësore.
Autoritetet pritet të vazhdojnë verifikimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e zjarrit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
