Sipas talkSPORT, Kenan Yildiz është përfshirë mes emrave që Arsenali mund të synojë gjatë kësaj vere.
Të lidhura
None found
Klubi londinez po planifikon të shtojë alternativa në krahun e majtë të ofensivës, ndërsa bëhet gati të mbrojë titullin e Ligës Premier.
“Topçinjtë” kanë siguruar tashmë shërbimet e anësorit grek Christos Tzolis. Ai pritet të marrë vendin e Leandro Trossardit, i cili është transferuar te Besiktasi.
Sidoqoftë, një tjetër afrim në sulm mund të bëhet i domosdoshëm në rast se Gabriel Martinelli largohet nga Emirates.
Për brazilianin ka shfaqur interes kampioni i Turqisë, Galatasaray. Në të njëjtën kohë, raportohet se Arsenali po ndjek situatën e Yildizit, të cilin e sheh si një kandidat të mundshëm për ta zëvendësuar Martinellin.
Alex Crook, gazetari kryesor i futbollit në talkSPORT, bëri të ditur në episodin më të fundit të “The Window” se sulmuesi i Juventusit është futur në listën e lojtarëve që po vëzhgohen nga Arsenali.
“Kenan Yildiz i Juventusit është shfaqur si një objektiv i mundshëm”, deklaroi Crook.
Yildiz ka fituar një rol të rëndësishëm te Juventusi dhe vlerësohet si një nga talentet e reja më premtuese të fazës sulmuese në futbollin evropian.
Mundësia për t’u aktivizuar në krahun e majtë e bën atë një alternativë mjaft tërheqëse për Mikel Artetën, në një kohë kur Arsenali po vijon riorganizimin e repartit ofensiv përpara sezonit të ri.
