Oliver Spasovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së, deklaroi se institucionet kompetente shëndetësore duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën e rëndë të shkaktuar nga uji në Gostivar.
Të lidhura
None found
Sipas tij, autoritetet nuk mund të qëndronin në heshtje dhe të mos reagonin, ndërkohë që qytetarët po raportonin simptoma të rënda shëndetësore. Për këtë arsye, ndaj institucioneve shëndetësore përgjegjëse janë ngritur kallëzime penale.
Spasovski tha se përgjegjësia bie mbi institucionet përkatëse, të cilat, siç u shpreh ai, nuk morën masa për gjashtë ditë nga momenti kur nisën raportimet për simptoma të rënda.
“Kur njerëzit u raportojnë autoriteteve shtetërore përgjegjëse se kanë simptoma të rënda dhe duhen gjashtë ditë për të ndërmarrë një veprim, përgjegjësia lokalizohet qartë te autoritetet shëndetësore. Për këtë arsye janë dorëzuar kallëzimet ndaj tyre, pasi besojmë se duhet të përgjigjen që nga momenti i hapjes së rasteve”, deklaroi Spasovski.
Ai nënvizoi se çështja lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, duke theksuar se mijëra persona në Gostivar u helmuan nga uji i kontaminuar. Spasovski shtoi se prokuroria i ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm për ta zbardhur plotësisht rastin./Telegrafi/
