Një tren udhëtarësh i kompanisë Southern Rail doli nga shinat pranë qytetit Lewes, në juglindje të Anglisë. Si pasojë e aksidentit u plagosën 20 persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Sipas shërbimeve të emergjencës, treni kishte në bord rreth 150 pasagjerë dhe po lëvizte nga Londra në drejtim të Sussex-it kur ndodhi dalja nga shinat.
Të lidhura
None found
Në pamjet e regjistruara në vendngjarje shihen të paktën tre vagonë të përmbysur. Ambulancat dhe skuadrat e emergjencës mbërritën menjëherë në zonë.
Michael Bradfield, zëvendësshef i Shërbimit të Ambulancës, deklaroi se 20 personat e dërguar në spitalet lokale kishin marrë “shkallë të ndryshme lëndimesh”. Ai bëri të ditur se dy prej tyre ishin “seriozisht të plagosur”.
Policia Britanike e Transportit njoftoi se të gjithë udhëtarët u nxorën në mënyrë të sigurt nga vagonët e trenit.
Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi aksidentin. Southern Rail, kompania që operonte trenin, mbulon linjat hekurudhore që lidhin Londrën me zonat jugore të Anglisë.
Operatori i infrastrukturës hekurudhore, Network Rail, njoftoi se po punon së bashku me Degën e Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore për të zbardhur shkaqet e daljes së trenit nga shinat.
Në Britani, ngjarjet e rënda në transportin hekurudhor konsiderohen relativisht të pazakonta. Megjithatë, në qershor, përplasja e dy trenave të pasagjerëve në veri të Londrës i mori jetën drejtuesit të njërit prej tyre dhe la të plagosur 162 persona. Nga hetimi paraprak rezultoi se drejtuesi kishte kaluar një semafor të kuq.
