Ndaj ambasadorit francez në Republikën e Afrikës Qendrore, Bruno Fouché, janë hapur procedura disiplinore nga Ministria e Jashtme e Francës. Vendimi pasoi një hetim administrativ lidhur me sjelljen e diplomatit në rezidencën zyrtare në Bangui.
Të lidhura
None found
Hetimi është përqendruar te prania e shpeshtë e dhjetëra grave të reja në rezidencën e ambasadorit. Dyshohet se disa prej tyre kanë qëndruar aty edhe gjatë natës, çka ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e rregullave të sigurisë.
Gazeta britanike “The Guardian”, duke iu referuar medias investigative franceze “Le Canard enchaîné”, raporton se diplomati 65-vjeçar dyshohet se ka pritur afërsisht 30 gra të moshës 20 deri në 30 vjeç, nga janari 2024 deri në mars 2026.
Frekuenca e këtyre vizitave thuhet se tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve francezë, ndërsa raportohet se disa nga gratë e vizituara e kanë kaluar natën në ambientet e rezidencës zyrtare.
“Le Canard enchaîné”, që pretendon se ka siguruar raportin e inspektimit, shkruan se Fouché regjistronte rreth 15 vizita të tilla çdo muaj. Dokumenti dyshohet se përfshin edhe një episod kur ambasadori i kërkoi personelit të lejonte njërën prej grave të qëndronte në rezidencë edhe kur ai nuk ndodhej aty.
Sipas raportimeve, ambasadori ka pohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me dy nga gratë e reja.
Ministria e Jashtme franceze ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 në Bangui u krye një hetim administrativ. Pas mbylljes së tij, ndaj diplomatit u vunë në lëvizje procedurat disiplinore.
Kontrolli në terren u zhvillua në prill dhe përfundimet iu dërguan ministrisë, e cila më pas nisi procedurat përkatëse.
Diplomat karriere, Bruno Fouché shërben si ambasador i Francës në Republikën e Afrikës Qendrore që nga viti 2023. Përpara këtij emërimi, ai ka mbajtur detyrën e ambasadorit në Liban, Iran dhe Çad.
Çështja është shfaqur në një periudhë delikate për raportet ndërmjet Francës dhe Republikës së Afrikës Qendrore. Ndërsa Rusia e ka rritur ndjeshëm praninë e saj në këtë vend, Parisi po synon të rikthejë ndikimin dhe të rindërtojë marrëdhëniet diplomatike me Bangui.
Në garantimin e sigurisë së presidentit të Republikës së Afrikës Qendrore, Faustin-Archange Touadéra, një rol të rëndësishëm kanë luajtur forcat ruse të lidhura me grupin Wagner.
Në kushtet kur ndikimi i saj në ish-kolonitë afrikane është zbehur, Franca e ka akuzuar Moskën se po ushqen qëndrime anti-franceze në disa shtete të kontinentit.
Gjatë një vizite në Bangui në mars, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha se marrëdhëniet mes dy shteteve po kalonin në një etapë të re dhe përmendi “rivendosjen e plotë të marrëdhënieve”.
Procesi disiplinor ndaj ambasadorit Bruno Fouché vazhdon të jetë në zhvillim.
