Dalja nga shinat e një treni pasagjerësh pranë qytetit Lewes, në juglindje të Anglisë, la të plagosur 20 persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Të lidhura
None found
Sipas shërbimeve të emergjencës, treni po lëvizte nga Londra në drejtim të Sussex-it dhe në të udhëtonin rreth 150 pasagjerë.
Në pamjet e regjistruara në vendin e aksidentit shihen të paktën tre vagonë të përmbysur. Ambulancat dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë mbërritën menjëherë në zonë.
Michael Bradfield, zëvendësshef i Shërbimit të Ambulancës, deklaroi se 20 të plagosurit u dërguan në spitalet e zonës me “shkallë të ndryshme lëndimesh”. Ai bëri të ditur se dy prej tyre ishin “seriozisht të plagosur”.
Policia Britanike e Transportit njoftoi se evakuimi i të gjithë pasagjerëve nga vagonët u krye në mënyrë të sigurt.
Ende nuk është përcaktuar se çfarë e shkaktoi daljen e trenit nga shinat. Mjeti hekurudhor i përkiste kompanisë Southern Rail, e cila operon linjat që lidhin Londrën me pjesën jugore të Anglisë.
Operatori i infrastrukturës hekurudhore, Network Rail, bëri të ditur se po punon së bashku me Degën e Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Në Britani, aksidentet e rënda në hekurudha ndodhin relativisht rrallë. Megjithatë, në qershor, përplasja e dy trenave të pasagjerëve në veri të Londrës i mori jetën drejtuesit të njërit prej tyre dhe shkaktoi plagosjen e 162 personave. Nga hetimi paraprak rezultoi se drejtuesi kishte kaluar një semafor të kuq.
