Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, e ka kritikuar opozitën për përfshirjen e stafit profesional të Kuvendit në konfliktet politike.
Në një reagim të publikuar në Facebook, ajo kërkoi që zyrtarët e Kuvendit të mos shënjestrohen dhe as të përballen me presion për punën që kryejnë në kuadër të detyrave të tyre institucionale, përcjell “Bota sot”.
Të lidhura
None found
Haxhiu theksoi se përplasjet dhe dallimet politike duhet të zhvillohen vetëm ndërmjet personave që kanë përgjegjësi politike.
Sipas saj, opozita nuk duhet ta bëjë stafin profesional të Kuvendit pjesë të këtyre përplasjeve, duke ushtruar presion ndaj tij apo duke e vënë në shënjestër për shkak të përmbushjes së përgjegjësive institucionale.
Ajo deklaroi se çdo vërejtje e opozitës lidhur me punën e saj duhet t’i drejtohet asaj personalisht ose të paraqitet nëpërmjet mekanizmave institucionalë. Haxhiu e cilësoi të padrejtë atribuimin e motiveve politike ndaj zyrtarëve profesionalë apo krijimin e përshtypjes se ata punojnë në shërbim të një individi ose subjekti politik, vetëm sepse janë duke kryer detyrat e tyre.
Ushtruesja e detyrës së presidentes nënvizoi se stafi i Kuvendit nuk përfaqëson palë në betejat politike dhe, për këtë arsye, nuk duhet të trajtohet si i tillë.
Haxhiu tha se e dënon publikisht këtë sjellje dhe kërkoi që çdo pretendim konkret të mbështetet me fakte e të trajtohet përmes rrugëve institucionale, në vend të sulmeve dhe insinuatave kundër zyrtarëve të Kuvendit.
