Çështja e emigrantëve dhe rikthimi i azilkërkuesve vazhdojnë të krijojnë mosmarrëveshje mes Italisë dhe Gjermanisë, megjithëse Roma po përpiqet të shmangë përshkallëzimin e debatit. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, siguroi se mes dy vendeve nuk ka një konflikt dhe se zgjidhja do të kërkohet nëpërmjet bisedimeve.
Të lidhura
None found
“Nuk ka asnjë luftë me Gjermaninë. Do ta rregullojmë çështjen me ekuilibrin që ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet tona”, tha Piantedosi, duke iu referuar diskutimeve për kthimin në Itali të emigrantëve që kanë paraqitur kërkesa për azil në Gjermani.
Ministri italian shpjegoi se Roma dhe Berlini kanë arritur një marrëveshje, sipas së cilës konsiderohet i mbyllur numri i azilkërkuesve që Gjermania mund të rikthejë në Itali për periudhën para marrëveshjes europiane të 12 qershorit.
Në këtë kuadër përfshihen edhe të ashtuquajturit “dublinantë”, azilkërkues që largohen nga shteti i parë ku kanë hyrë dhe identifikohen më vonë në një tjetër vend europian. Piantedosi theksoi se kjo kategori ka qenë pjesë e një marrëveshjeje të mëhershme me palën gjermane.
“Ne besojmë se gjithçka që lidhet me të ashtuquajturit ‘dublinantë’ ka qenë objekt i një marrëveshjeje me Gjermaninë, e cila në fakt ka zeruar shifrat e mëparshme, përpara 12 qershorit”, deklaroi ai.
Një tjetër burim tensioni janë anijet e organizatave joqeveritare gjermane, të cilat zhvillojnë operacione shpëtimi në ujërat ndërkombëtare dhe më pas i zbarkojnë emigrantët në brigjet e Italisë.
Edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, hodhi poshtë idenë se marrëdhëniet me Gjermaninë përballen me një problem serioz, por njëkohësisht vuri në dukje të njëjtën çështje.
“Do të gjendet një ekuilibër. Nuk besoj se do të ketë probleme për kthimin e ‘dublinantëve’”, u shpreh Tajani.
Megjithatë, burime të cituara nga mediat italiane bëjnë të ditur se bisedimet dypalëshe nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete. Deri në këtë fazë ka pasur kryesisht kontakte në nivel politik dhe zotime se dialogu ndërmjet Italisë dhe Gjermanisë do të vazhdojë.
Ekzekutivi i drejtuar nga Giorgia Meloni nuk planifikon të heqë dorë nga politika e tij për “mbrojtjen e kufijve”. Në të njëjtën kohë, qeveria italiane synon të parandalojë që mosmarrëveshjet me Berlinin të kthehen në një konfrontim të hapur.
Në kuadër të menaxhimit të emigracionit, Piantedosi mbështeti gjithashtu një strategji pragmatike dhe të bashkërenduar. Mes mundësive të përmendura prej tij ishte edhe ngritja në Afrikë e qendrave të kthimit, të njohura si “Return Hub”.
Kur u pyet nëse këto qendra mund të krijohen në Kongo dhe Ruandë, ministri nuk e përjashtoi një skenar të tillë, por sqaroi se momenti për të dhënë hollësi nuk ka ardhur ende.
“Nuk e mohoj, por është shumë herët”, tha Piantedosi.
Ndërkohë, autoritetet italiane po monitorojnë me kujdes edhe zhvillimet në Spanjë. Vëmendja është përqendruar veçanërisht te 15 gushti, për shkak të shqetësimeve se drejt enklavës spanjolle të Ceutës mund të nisë një valë e re emigrantësh.
“Presim 15 gushtin dhe shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Piantedosi. Ai kujtoi se pezullimi i marrëveshjes së Schengenit parashikohet të mbetet në fuqi deri në përfundim të muajit.
Sipas ministrit të Brendshëm italian, duhet mbajtur vazhdimisht nën vëzhgim edhe mundësia që mes emigrantëve të depërtojnë persona me lidhje me terrorizmin, pasi ky rrezik përbën një kërcënim të vazhdueshëm.
Vendimi i Italisë për pezullimin e Schengenit është kritikuar nga Madridi, ku masa është cilësuar si propagandistike.
Tajani reagoi me tone të forta ndaj këtyre akuzave, duke argumentuar se Roma po mbron vetëm interesat e territorit italian. Ai tha se vendimi për të mos e hequr pezullimin para 15 gushtit është marrë për motive sigurie.
“Ne mbrojmë vetëm interesin e territorit tonë. Kemi thënë se deri më 15 gusht nuk do të hiqet pezullimi i Schengenit, më pas do të shohim se si do të zhvillohet situata”, deklaroi Tajani.
