Vdekja e Fatin Ben Omar El Azizi, një futbolliste 26-vjeçare që u mbyt gjatë tentativës për të notuar nga brigjet marokene drejt enklavës spanjolle të Ceutës, ka tronditur Marokun.
Të lidhura
None found
Ngjarja mori përmasa edhe më tragjike pasi, pikërisht në ditën kur Fatin humbi jetën, nëna e saj u njoftua përmes telefonit se vajzës i ishte miratuar viza për të udhëtuar në Spanjë.
Fatin ishte një prej të paktën 141 personave që vdiqën muajin e kaluar gjatë përpjekjes masive për të hyrë në Ceuta. Besohet se pjesa më e madhe e viktimave, të cilat u mbytën ose u shtypën në kufirin tokësor, ishin më të rinj se 35 vjeç.
Futbolli nuk ishte thjesht një sport për 26-vjeçaren, por shpresa e saj për të siguruar një jetë më të mirë. Për vite me radhë, ajo kishte luajtur në ligën rajonale të Marokut për Moghreb Atlético Tetuán, klub me uniforma të ngjashme me ato të Atletico Madrid.
Fatin banonte me nënën dhe pjesëtarët e tjerë të familjes në Tetouan, në veri të Marokut. Ajo e kishte humbur të atin kur ishte vetëm 12 vjeçe.
Trajneri i saj i tha Guardian se e reja kishte një dashuri të madhe për futbollin dhe nuk mungonte në stërvitje. Të martave ushtronte në stadium, ndërsa seancat e së enjtes i zhvillonte në plazh.
Megjithatë, të ardhurat nga sporti nuk i ofronin siguri për të ardhmen. Për çdo fitore të skuadrës, Fatin paguhej rreth 260 dirhemë, ose afërsisht 25 euro, kurse pas humbjeve nuk merrte asnjë pagesë.
Kjo shumë nuk mjaftonte që ajo të mbështeste financiarisht nënën, dy vëllezërit dhe pjesën tjetër të familjes. Për këtë arsye, krahas futbollit, 26-vjeçarja punonte edhe në varrezat më të vjetra të Tetouanit, ku pastronte varret dhe shiste tufa borziloku, një bimë që përdoret në traditat myslimane të varrimit.
Nëna e saj, Jamila, tregoi se Fatin shpresonte ta realizonte përmes sportit dëshirën për t’u larguar. “Ajo ëndërronte të arrinte Evropën përmes futbollit”, tha ajo.
Kjo ëndërr përfundoi tragjikisht më 30 korrik, kur Fatin u mbyt duke tentuar të kalonte me not nga bregdeti i Marokut në Ceuta. Ajo prehet tashmë në të njëjtat varreza ku kishte punuar.
Rasti i saj nxjerr në pah realitetin e vështirë të shumë të rinjve marokenë, të cilët përballen me papunësinë dhe nivelin e ulët të pagave.
Gjatë vitit të kaluar, pothuajse 40% e grupmoshës 15 deri në 24 vjeç në Marok ishte e papunë. Edhe të rinjtë që arrijnë të punësohen marrin paga të ulëta, ndërsa paga minimale bruto mujore në sektorin privat jobujqësor llogaritet në rreth 316 euro.
Simo, një 20-vjeçar që është kthyer së fundmi në Marok pasi mori pjesë në tentativën masive për të kaluar kufirin drejt Ceutës, tha: “Ashtu si Fatini, unë dhe shumë nga miqtë e mi nuk mund të gjejmë punë në vendin tonë. Është e vështirë të ndërtosh një të ardhme këtu”.
Viktimat në Ceuta u regjistruan më pak se një vit pas protestave të mëdha rinore në Marok, më të fuqishmet në vend që prej Pranverës Arabe të vitit 2011.
Pjesëmarrësit në protesta kanë kundërshtuar mungesën e financimeve për arsimin dhe shëndetësinë, në një kohë kur shuma të mëdha po përdoren për ndërtimin dhe modernizimin e stadiumeve përpara Kupës së Botës 2030. Maroku do ta organizojë këtë turne së bashku me Spanjën dhe Portugalinë.
Kupa e Botës shihet nga Maroku si shprehje e ambicies kombëtare, por investimet e lidhura me të kanë nxitur njëkohësisht diskutime rreth përdorimit të parave publike.
Jamila ishte në dijeni të dëshirës së vajzës për t’u stërvitur më shumë dhe për t’u përmirësuar si futbolliste, por familja nuk kishte burimet financiare që t’i krijonte këtë mundësi.
Në mëngjesin e 30 korrikut, ajo mori një telefonatë nga një person që kërkoi të komunikonte me Fatin. “Unë jam nëna e saj”, iu përgjigj Jamila.
Punonjësi e informoi se kërkesa e vajzës për vizë spanjolle ishte pranuar. Fatin duhej të paraqitej me dokumentin e identifikimit në konsullatën në Tangier për ta tërhequr vizën.
Nëna nuk kishte dijeni se e bija kishte dorëzuar një aplikim të tillë. Ajo gjithashtu nuk arrin të shpjegojë përse Fatin vendosi të vinte jetën në rrezik duke u nisur drejt Ceutës, ndërkohë që kishte aplikuar për vizë.
Sipas Jamilës, vajza mund ta ketë kryer aplikimin në mënyrë joformale dhe ndoshta nuk besonte se do t’i miratohej. Nëna ende nuk e di se për cilin lloj vize bëhej fjalë dhe as destinacionin ku Fatin synonte të udhëtonte.
Në javët e fundit përpara vdekjes, Jamila kishte dalluar se sjellja e vajzës kishte ndryshuar ndjeshëm. Fatin ishte mbyllur në vetvete, ishte bërë më e heshtur dhe dukej e trishtuar.
Pasi 26-vjeçarja rezultoi e zhdukur, familjarët vazhduan kërkimet gjatë gjithë natës. Në një moment, në shtëpinë e tyre erdhi një i ri, i cili pyeti nëse Fatin kishte qenë e veshur me tuta sportive.
Ai u tha familjarëve se e reja kishte goditur kokën gjatë përpjekjes për të kaluar në Ceuta.
Jamila nuk mundi të hynte në hapësirën ku ishin vendosur trupat e viktimave. “Nuk doja që ky imazh të më ngulitej në kujtesë”, shpjegoi ajo.
Identifikimin e trupit të Fatin e bëri në fund motra e Jamilës.
Dhimbja e nënës u thellua më tej pas vdekjes së 26-vjeçares, kur ajo mësoi se edhe dy fëmijët e tjerë të saj ishin zhdukur.
Djali i madh arriti të hynte në Ceuta dhe më pas komunikoi me të ëmën nëpërmjet telefonit. Jamila, ndërkaq, vazhdon të presë informacione për vajzën 14-vjeçare, e cila besohet se gjithashtu ka mundur të kalojë në enklavën spanjolle.
“Tani jam vetëm, pa fëmijët e mi”, u shpreh nëna e Fatin për The Guardian.
