Maserati ka krijuar dhe patentuar një teknologji artificiale transmisioni për makinat elektrike, ndonëse aktualisht nuk parashikon ta vendosë atë në modelet e prodhimit.
Të lidhura
None found
Sistemi simulon kalimin nga një marsh në tjetrin dhe menaxhon çiftin rrotullues, me synimin për t’u ofruar drejtuesve një përvojë të ngjashme me atë të automjeteve që përdorin motorë tradicionalë.
Zgjidhje të këtij lloji po përhapen gjithnjë e më shumë në segmentin e makinave elektrike. Hyundai, Mercedes-AMG, Porsche dhe Ferrari kanë zhvilluar gjithashtu teknologji të ngjashme.
Drejtuesi i inxhinierisë në Maserati, Davide Danesin, bëri të ditur se kompania disponon disa prototipe dhe ka regjistruar patenta që lidhen me sistemin. Ai vlerëson se kjo teknologji mund të rrisë kontrollin dhe të përmirësojë përvojën pas timonit.
Transmisioni artificial u konceptua kryesisht për një variant plotësisht elektrik të superveturës MC20. Megjithatë, projekti u anulua në fillim të vitit 2025, pasi pritshmëritë për kërkesën ishin të ulëta.
Teknologjia nuk do të përdoret, të paktën tani për tani, në GranTurismo Folgore. Sipas Danesinit, ajo nuk përputhet me natyrën e këtij modeli, i projektuar si një grand tourer për udhëtime të shpejta dhe komode në autostrada.
Pavarësisht kësaj, Maserati nuk e ka përjashtuar mundësinë që sistemi të integrohet në modelet e ardhshme elektrike.
