Policia italiane ka arrestuar një grua me origjinë rumune, e dyshuar se ka marrë pa autorizim mbesën e saj 10-ditëshe nga një spital në provincën e Kazertës dhe më pas është larguar me makinë drejt veriut të vendit.
Të lidhura
None found
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së dielës, më 9 gusht. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, gjyshja ka hyrë në spitalin ku ishte e shtruar vajza e saj dhe e ka marrë foshnjën nga krevati, pa informuar stafin mjekësor apo autoritetet.
Pas alarmit të dhënë nga skuadra mobile e Kazertës, policia rrugore nisi kërkimet për automjetin. Një ditë më vonë, pasi u identifikuan targat e makinës, një patrullë e policisë rrugore në Firence e lokalizoi dhe e ndaloi atë në autostradën A1.
Brenda automjetit u gjet edhe foshnja, e cila ishte vetëm dhjetë ditëshe. Gruaja u vu në pranga, ndërsa gjyqtari hetues në Toskanë konfirmoi masën e arrestit.
Hetuesit dyshojnë se synimi i saj ishte të largohej nga Italia, të kalonte kufirin dhe të strehohej në Rumani së bashku me foshnjën.
