Shtypja e përsëritur e butonit të ashensorit nuk buron domosdoshmërisht vetëm nga padurimi. Ky veprim na ndihmon të ndiejmë se po ndikojmë mbi situatën dhe mund të na krijojë përshtypjen se koha e pritjes po kalon më shpejt.
Të lidhura
None found
Shumë njerëz e prekin sërish butonin për thirrjen e ashensorit ose për mbylljen e dyerve, pavarësisht se drita tregon se komanda është regjistruar. Psikologët e lidhin këtë sjellje me prirjen e natyrshme të njeriut për të pasur kontroll mbi atë që po ndodh.
Ndonëse ky veprim zakonisht nuk ndikon në funksionimin e ashensorit, ai mund ta bëjë pritjen të duket më e shkurtër. Pothuajse të gjithë e kemi përsëritur shumë herë, qoftë duke pritur përpara ashensorit, qoftë pasi kemi hyrë në të, edhe pse e dimë se procesi nuk do të përshpejtohet.
Në shikim të parë, zakoni mund të interpretohet thjesht si mungesë durimi edhe për disa sekonda. Megjithatë, bëhet fjalë për një dukuri të emërtuar dhe të studiuar prej dekadash.
Iluzioni i kontrollit
Në vitin 1975, psikologia Ellen Langer përshkroi fenomenin e quajtur “iluzioni i kontrollit”. Ai nënkupton tendencën e njerëzve për të menduar se mund të ndikojnë mbi ngjarje që realisht nuk varen prej tyre.
Kjo u dëshmua edhe në një eksperiment ku pjesëmarrësit blinin bileta lotarie. Personat që e përzgjidhnin vetë biletën mendonin se ajo kishte më shumë vlerë sesa bileta që u jepej në mënyrë rastësore, megjithëse mundësitë për të fituar ishin të njëjta për të gjithë.
Sipas Langerit, kryerja e një veprimi, sado i parëndësishëm të jetë, na krijon bindjen se situata është nën kontrollin tonë. Siç transmeton Telegrafi, kjo ndjesi shton sigurinë dhe pakëson pafuqinë.
Arsyet pse butoni mund të mos reagojë
Në ndërtesa të caktuara, përdoruesit mund të mos kenë mundësi ta aktivizojnë realisht butonin që mbyll dyert e ashensorit. Rregullat që lidhen me sigurinë dhe qasshmërinë kërkojnë që dyert të mbeten të hapura për një interval të përcaktuar, duke u mundësuar personave me aftësi të kufizuara ose atyre që lëvizin me paterica të hyjnë pa rrezik.
E njëjta gjë mund të vlejë për disa butona të vendosur në vendkalimet për këmbësorë, si edhe për termostatet në ambientet e punës. Edhe nëse efekti i tyre është i kufizuar, prania e tyre i bën njerëzit të besojnë se po ndërhyjnë për ta ndryshuar gjendjen.
Si ndikon veprimi në perceptimin e pritjes?
David Maister, ekspert i menaxhimit të pritjes, ka shpjeguar se koha perceptohet sikur ecën më shpejt kur jemi të angazhuar me një veprim, krahasuar me momentet kur nuk bëjmë asgjë tjetër përveçse presim.
Ai solli rastin e një hoteli që përballej me ankesa të shumta për shkak të ashensorëve të ngadalshëm. Hoteli nuk i zëvendësoi ata, por vendosi pasqyra në holl. Vizitorët nisën t’i kushtonin vëmendje pamjes së tyre në vend që të numëronin sekondat, ndërsa ankesat thuajse u zhdukën.
Një efekt i ngjashëm është konstatuar edhe në një ambulancë. Një infermiere i priste pacientët menjëherë sapo mbërrinin. Megjithëse koha deri te takimi me mjekun nuk u reduktua, pacientëve u dukej sikur kishin pritur më pak, pasi procesi kishte filluar.
Këtë model sjelljeje e përsërisim edhe kur shtypim disa herë butonin e telekomandës, verifikojmë vazhdimisht vendndodhjen e një porosie në pritje ose rifreskojmë pandërprerë një faqe interneti. Edhe pse jemi të vetëdijshëm se këto veprime nuk e afrojnë rezultatin, ato na japin ndjesinë se nuk po qëndrojmë pasivë.
A përbën kjo arsye për shqetësim?
Ellen Langer thotë se, në përgjithësi, nuk duhet të shqetësohemi. Këto veprime të vogla nuk dëmtojnë askënd dhe mund ta bëjnë pritjen më të përballueshme, sepse pakësojnë ndjesinë e pafuqisë.
Dyert e ashensorit do të hapen ose do të mbyllen në momentin e përcaktuar. E vetmja gjë që ndryshon është perceptimi ynë: pasi e kemi shtypur butonin disa herë, ato pak sekonda na duken më të lehta për t’u kaluar.
