Gjatë protestës kundër qeverisë së Edi Ramës, fjalën e mori një qytetar i diasporës shqiptare në Belgjikë, i cili kërkoi largimin e qeverisë dhe përfshirjen më të madhe të brezit të ri në drejtimin e vendit.
Sipas tij, të rinjve duhet t’u jepet besimi dhe përgjegjësia për të udhëhequr, pasi ata përfaqësojnë forcën e vetme që mund ta çojë Shqipërinë përpara.
Të lidhura
None found
“Edi Rama dhe qeveria e tij duhet të largohen. Udhëheqjen duhet t’ia lërë rinisë. Besimin duhet t’ia japim rinisë, sepse vetëm ajo mund ta çojë Shqipërinë përpara”, deklaroi qytetari.
Duke iu drejtuar veçanërisht qytetarëve dhe brezit të ri, ai paralajmëroi për ato që i përshkroi si tentativa për ta rikthyer vendin te politika e vjetër.
“Manipulatorët do të përdorin të gjitha mënyrat për të shkuar te politika e vjetër. Larg politikës së vjetër”, u shpreh ai.
Më tej, përfaqësuesi i diasporës paraqiti prioritetet që, sipas tij, duhet të ndjekë Shqipëria nën drejtimin e një brezi të ri. Mes tyre ai përmendi mbrojtjen e sovranitetit, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, një ekonomi në funksion të qytetarëve dhe përmirësimin e sistemit arsimor.
“Rinia duhet të ruajë sovranitetin shqiptar, dinjitetin e kombit, të forcojë mbrojtjen, ekonominë që t’i shërbejë popullit, të krijojë arsim që t’i përshtatet kushteve dhe të përgatisë një rini me të gjitha mundësitë”, përfundoi ai.
