Porsche SE, aksionari më i madh i Volkswagen, i ka kërkuar prodhuesit gjerman të veprojë pa humbur kohë përballë konkurrencës gjithnjë e më të fortë nga kompanitë kineze të automobilave.
Të lidhura
None found
Përmes Porsche SE, e cila ka në pronësi rreth 31.9% të aksioneve të Volkswagen, familjet Porsche dhe Piëch ushtrojnë kontroll mbi kompaninë.
Kryetari i Porsche SE, Hans Dieter Pötsch, e cilësoi situatën aktuale si një “pikë kthese historike”, duke theksuar se e ardhmja e Volkswagen do të varet nga zgjedhjet që bëhen tani.
Sipas tij, çdo shtyrje e vendimmarrjes rrezikon ta rëndojë më tej gjendjen, ndaj masat e nevojshme duhet të miratohen sa më shpejt.
Kërkesat përfshijnë reduktimin e kapaciteteve të tepërta, përshpejtimin e procedurave të vendimmarrjes dhe një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve.
Në kuadër të përpjekjeve për të rritur produktivitetin dhe për të përmirësuar fitimet, Volkswagen po analizon tashmë mundësinë e shkurtimit të deri në 100 mijë vende pune.
Vështirësitë janë shfaqur ndërsa prodhuesit nga Kina po zgjerojnë me ritme të shpejta praninë e tyre, sidomos në tregun e automjeteve elektrike.
BYD, Geely dhe SAIC janë ndër kompanitë që po shtojnë trysninë ndaj Volkswagen, jo vetëm në tregun kinez, por gjithashtu në Evropë, Amerikën Latine dhe Afrikë.
Porsche SE vlerëson se konkurrueshmëria duhet të bëhet boshti kryesor i strategjisë së Volkswagen. Për këtë arsye, kompania duhet të marrë në shqyrtim çdo alternativë që mund të zvogëlojë kostot dhe të përmirësojë efikasitetin e fabrikave.
Zbatimi i këtyre masave mund ta çojë Volkswagen drejt një prej ristrukturimeve më të mëdha të historisë së saj 89-vjeçare.
