Një aksident tragjik është regjistruar në brigjet e Lampedusës, ku një i ri 29 vjeç ndërroi jetë pasi, gjatë zhytjes në det, u godit nga helikat e një gomoneje turistike.
Të lidhura
None found
Viktima ishte Cristiano Giamporcaro, regjisor filmash dhe djali i Maria Castiglione, e cila ka qenë këshilltare e qytetit të Caltanissetta.
Të dhënat paraprake tregojnë se Giamporcaro kishte shkuar në det pranë Punta Sottile i shoqëruar nga një grua. Dyshohet se të dy kishin planifikuar të zhyteshin, por ajo u rikthye në breg menjëherë pasi hyri në ujë.
Ndërsa 29-vjeçari vazhdoi të qëndronte në det, ai bëri të ditur praninë e tij duke valëvitur një shami. Pas pak, helikat e një gomoneje me dy turistë në bord e goditën.
Hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të aksidentit vijojnë. Nga informacionet e para rezulton se kontakti me helikat e mjetit lundrues i shkaktoi të riut plagë tepër të rënda.
Një njësi e Rojës Bregdetare e nxori trupin e tij nga uji, e ndihmuar nga një anije private e specializuar për ndërhyrje të këtij lloji.
Sipas raportimeve të para, Giamporcaro mund të ketë vdekur si pasojë e humbjes së madhe të gjakut. Dyshohet se helikat i kishin prerë pothuajse plotësisht njërin krah, ndërsa shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet vetëm përmes autopsisë.
