Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se Serbia mund të ndërhyjë për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër, në një periudhë kur tensionet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë rritur. Ai e ka paraqitur këtë mundësi si përgjigje ndaj mënyrës se si, sipas tij, autoritetet e Kosovës po e trajtojnë komunitetin serb.
Gjatë një prononcimi për gazetarët të dielën, teksa vizitonte punimet në Urën e Vjetër Hekurudhore në Beograd, Vuçiç deklaroi se për shqyrtimin e kësaj çështjeje janë angazhuar tashmë specialistë të fushave përkatëse.
Të lidhura
None found
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiç.
Sipas raportimeve të mediave serbe, presidenti i Serbisë është shprehur gjithashtu: “Duhet t’ju njoftoj, ne kemi ftuar tashmë ekspertë që merren me këtë, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të gjithë të tjerët. Ata po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë. Le të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen pas këtij veprimi”.
Vuçiç pretendon se prej vitit 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e Ibrit, me qëllim plotësimin e nevojave të popullsisë në qytezat pranë liqenit. Sipas tij, një veprim i tillë, i cili mund të ndërmerret përmes një vendimi të Qeverisë serbe, do të sillte tharjen e Ujmanit, prej nga furnizohet Kosova.
Megjithatë, presidenti serb nuk ka sqaruar natyrën e ndërhyrjes që po merret në konsideratë dhe as nëse kjo ide do të shndërrohet në një plan konkret për zbatim. Paralajmërimi i tij ka ngritur shqetësime rreth pasojave të mundshme mbi një nga burimet kryesore ujore të lidhura me Kosovën.
Lumi Ibër ka peshë strategjike për Kosovën. Liqeni i Ujmanit, i formuar nga diga e ngritur mbi këtë lumë, përbën një prej burimeve kryesore të furnizimit me ujë për zonat e Kosovës dhe shërben njëkohësisht edhe për prodhimin e energjisë elektrike.
Ndryshimi i rrjedhës së lumit mund të ndikonte si në furnizimin me ujë, ashtu edhe në funksionimin e infrastrukturës energjetike. Për pasojë, një përplasje e tillë politike mund të shndërrohej në një problem me ndikim të drejtpërdrejtë humanitar dhe ekonomik.
