Një pamje e re dhe jashtëzakonisht e detajuar e sipërfaqes së Diellit ka zbuluar vorbulla të fuqishme, të cilat mendohet se kanë rol të rëndësishëm në formimin e motit hapësinor.
Të lidhura
None found
Zbulimi u realizua përmes Teleskopit Diellor Inouye, i instaluar në majat e Havait. Të dhënat e përftuara nga vëzhgimet janë publikuar në revistën shkencore Nature.
Studiuesit shpjegojnë se këto vorbulla krijohen kur gazrat tepër të nxehtë ndërveprojnë me fushën magnetike të Diellit. Përmes kësaj lëvizjeje, energjia magnetike grumbullohet dhe mund të çlirohet më vonë në trajtën e shpërthimeve diellore ose të nxjerrjeve masive të plazmës drejt hapësirës.
“Dielli është burimi i gjithë kësaj energjie dhe i motit hapësinor,” deklaroi Dr. David Boboltz nga Observatori Kombëtar Diellor i SHBA-së (NSO). Ai tha se imazhet me rezolucion shumë të lartë mund t’u japin shkencëtarëve një kuptim më të thellë për këto procese dhe, në të ardhmen, t’i ndihmojnë t’i parashikojnë ato.
Rëndësinë e vëzhgimit e nënvizoi edhe astronomi Dr. David Kuridze. Sipas tij, lëvizjet rrotulluese prodhojnë energji magnetike, e cila mund të depozitohet dhe më pas të shkaktojë shpërthime të mëdha.
Procesi i identifikuar nga ekipi shkencor njihet si paqëndrueshmëria Kelvin-Helmholtz. Ai shfaqet kur dy shtresa fluide, në këtë rast gazra shumë të nxehtë, rrëshqasin pranë njëra-tjetrës dhe formojnë struktura spirale në trajtë vorbullash.
Një dukuri e ngjashme mund të shihet edhe në oqeane, ku valëzime fillimisht të vogla mund të rriten dhe të shndërrohen në dallgë të mëdha.
Dr. Friedrich Woeger tha se zbulimi ndihmon në kuptimin e mekanizmave që krijojnë motin hapësinor, por edhe në shpjegimin e arsyes pse atmosfera e jashtme e Diellit ka temperatura shumë më të larta se sipërfaqja e tij.
“Kur në shtresat e sipërme grumbullohet energji e mjaftueshme, ajo mund të çlirohet si një shpërthim diellor ose si një nxjerrje koronale e masës,” shpjegoi ai.
Moti hapësinor është i rëndësishëm edhe për Tokën, pasi shpërthimet e fuqishme diellore mund të dëmtojnë ose të ndërpresin funksionimin e rrjeteve elektrike, satelitëve, sistemeve të komunikimit dhe navigimit. Ato mund të përbëjnë gjithashtu rrezik për astronautët që ndodhen në hapësirë.
Përveç pasojave praktike, Dielli konsiderohet nga studiuesit si laboratori natyror më i afërt për shqyrtimin e ligjeve themelore të fizikës.
“Është ylli ynë më i afërt dhe na ndihmon të kuptojmë disa nga ligjet bazë të universit,” u shpreh Dr. Boboltz. Ai kujtoi se prova e parë eksperimentale e teorisë së relativitetit të Albert Ajnshtajnit u realizua përmes vëzhgimeve të një eklipsi diellor. /BBC
