Policia e Krujës ka arrestuar në flagrancë 73-vjeçarin Qemal Berhami, i cili dyshohet se ndezi zjarr pranë banesës së tij për të djegur barin. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara.
Ngjarja u regjistrua më 8 gusht në lagjen “Abaze”. Sipas dyshimeve të policisë, 73-vjeçari, banues në këtë zonë, kishte ndezur një vatër zjarri për të djegur një sasi bari në afërsi të banesës së tij.
Të lidhura
None found
Përballë rrezikut të përhapjes së flakëve, shërbimet e Policisë dhe strukturat e emergjencave ndërhynë për mbrojtjen e banorëve. Në kuadër të masave të sigurisë, u krye edhe evakuimi i pjesshëm i personave që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon në terren, me mjete dhe forca nga toka, si dhe me ndërhyrje nga ajri. Qëllimi është izolimi i vatrave dhe frenimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore, materialet procedurale për 73-vjeçarin iu dorëzuan Prokurorisë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndezin zjarre për djegien e barërave apo mbetjeve, pasi një veprim i tillë mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
