Përhapja e zjarrit në territorin e Bashkisë Krujë ka rënduar situatën, duke bërë që autoritetet të urdhërojnë evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën Barabit–Lluban. Masa është marrë bazuar në Ligjin nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar dhe Planet Vendore të Emergjencave Civile, për shkak të rrezikut që paraqesin flakët.
Evakuimi po kryhet përmes bashkëpunimit mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektit të Qarkut Durrës dhe strukturave të Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë.
Të lidhura
None found
Në operacionin për nxjerrjen e banorëve nga zona e rrezikuar janë angazhuar mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Gjatë këtij procesi, përparësi u jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara.
Bashkia Krujë ka njoftuar se qytetarëve të evakuuar do t’u sigurohet strehim i përkohshëm, regjistrim, nevojat bazë dhe asistencë shëndetësore. Banorëve të Barabit–Llubanit u është kërkuar të zbatojnë udhëzimet e strukturave në terren dhe të bashkëpunojnë me to për të garantuar sigurinë. Ndërkohë, raportohet edhe për shpërthime armatimesh.
