Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimi me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, janë komentuar nga njohësi i çështjeve të sigurisë, Dorajt Imeri.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi në X, Imeri e kritikoi afrimin e Zelenskyt me presidentin serb, duke e cilësuar Vuçiqin si “hijen e Putinit në Ballkan”. “Volodymyr Zelensky, sapo ke përqafuar hijen e Putinit në Ballkan: Aleksandar Vuçiç. Duhet ta them këtë: rrezikon të zhgënjehesh thellësisht nga kjo përpjekje për të gjetur miq të rinj në luftën tënde. Serbia nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër vendit tënd”, shkroi ai.
Gjatë konferencës së përbashkët për media në Beograd, Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha presidenti ukrainas.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008. Megjithatë, Kosova është rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa Prishtina ka strehuar edhe gazetarë ukrainas të larguar nga vendi për shkak të konfliktit.
Në anën tjetër, Vuçiq bëri të ditur se gjatë bisedimeve me Zelenskyn është diskutuar edhe bashkëpunimi ushtarak. Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, e cila nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, u shpreh Vuçiq, i cili priti Zelenskyn në vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi.
Presidenti serb njoftoi gjithashtu se në Serbi do të hapet një fabrikë dronësh në mesin e shtatorit, në bashkëpunim me partnerë izraelitë.
“Ukrainasit janë shumë të suksesshëm dhe kanë shumë fabrika të tyre të dronëve”, shtoi Vuçiq.
Zelensky, ndërkaq, theksoi se Ukraina synon një paqe dinjitoze dhe se duhet shfrytëzuar çdo mundësi që mund të çojë drejt arritjes së saj, raporton Radio Evropa e lirë.
