Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Mallakastrës, duke u përhapur me shpejtësi në fshatin Koilac dhe duke kërcënuar banesat. Përballë rrezikut, shërbimet e Policisë kanë organizuar largimin e disa familjeve nga zonat e ekspozuara. Në operacion janë përfshirë efektivë të Komisariatit të Policisë Mallakastër, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile dhe ekipe të tjera të angazhuara për menaxhimin e situatës.
Erërat e forta po ndihmojnë përparimin e flakëve në drejtim të zonave të banuara. Deri në këtë fazë, zjarri ka dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, ndërsa kërcënimi ndaj banesave dhe pronave vijon të jetë i lartë. Vatrat po shtrihen drejt Hekalit, Panahorit, Ribanit dhe Ngraçanit, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Të lidhura
None found
Forcat e Policisë po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të kryer evakuime të tjera nëse do të jetë e nevojshme, në koordinim me strukturat e emergjencave. Paralelisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes. Mes pistave që po shqyrtohen është edhe mundësia e një zjarrvënieje të kundërligjshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për arsye të tjera, pasi flakët mund të dalin jashtë kontrollit dhe të rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin. Çdo rast zjarrvënieje ose paligjshmërie duhet të raportohet në numrin 112.
