Rasti i Jeffrey Epstein është rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak të vdekjeve të pazakonta të disa personave që kishin lidhje me financierin amerikan, duke nxitur sërish teori konspirative.
Të lidhura
None found
Epstein kishte një profil të njohur në mjediset financiare dhe shoqërore të Shteteve të Bashkuara, ndërsa rrjeti i tij përfshinte figura të fuqishme. Pas arrestimit dhe akuzave për trafikim seksual të të miturve, marrëdhëniet e tij me persona të njohur u analizuan me vëmendje të veçantë.
Rasti më i fundit është ai i Daniel Siad, agjentit të modeleve që u gjet i pajetë në banesën e tij në periferi të Parisit, në fund të korrikut, në moshën 68-vjeçare.
Siad dyshohej se kishte ndihmuar në organizimin e takimeve mes grave dhe Epstein. Në momentin e vdekjes, ai ishte nën hetim për trafikim qeniesh njerëzore. Raportimet e para flisnin për një atak kardiak, por prokuroria e Nanterres ka hapur një hetim dhe ka kërkuar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Dokumentet e lidhura me Epstein e përmendin Siadin përgjatë një periudhe prej rreth dhjetë vitesh. Në to thuhet se financieri i rimbursonte shpenzimet e udhëtimeve të agjentit, gjatë të cilave ky i fundit siguronte gra për të.

E-mailet e publikuara përmbajnë komunikime mes të dyve lidhur me moshën e grave. Ndërkohë, një prej viktimave të Epstein i ka thënë BBC-së se ishte Siad ai që e kishte njohur me financierin.
Një tjetër agjent francez modelesh, Jean-Luc Brunel, i cili kishte lidhje me Epstein, u gjet i varur në qelinë e tij në Paris në vitin 2022. Brunel ishte 76 vjeç, ndodhej në paraburgim dhe akuzohej për përdhunim e trafikim të të miturve, akuza që ai i kishte mohuar.
Edhe vetë Jeffrey Epstein u gjet pa jetë në qelinë e burgut në Nju Jork, në gusht të vitit 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual.
Dy oficerët që kishin përgjegjësi për mbikëqyrjen e tij nuk e kontrolluan për disa orë. Për më tepër, një pjesë e sistemit të kamerave të burgut nuk kishte funksionuar në mënyrën e duhur.
Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi në vitin 2023 se personeli i burgut kishte kryer dështime serioze, por njëkohësisht konfirmoi se shkaku zyrtar i vdekjes së Epstein ishte vetëvrasja.
Pavarësisht këtij përfundimi, mënyra dhe rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të nxisin dyshime e teori konspirative, sidomos për shkak të marrëdhënieve që kishte me njerëz me pushtet.
Mark Middleton, ish-avokat i Shtëpisë së Bardhë, u gjet i vdekur në vitin 2022 në një fermë në Arkansas. Ai kishte pasur kontakte me Epstein gjatë periudhës kur punonte në administratën e Bill Clintonit. Middleton u gjet i varur në një pemë dhe kishte gjithashtu një plagë të shkaktuar nga armë zjarri.

Po në vitin 2022, Steven Hoffenberg, i cilësuar si një nga mentorët e Epstein, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Connecticut. Sipas autopsisë, vdekja e tij kishte ardhur nga shkaqe natyrore.
Bill Richardson, ish-guvernator i New Mexico-s dhe ish-ambasador amerikan në OKB, ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 75-vjeçare. Richardson kishte qenë i lidhur me Epstein dhe emri i tij ishte përmendur në dokumentet e një padie civile të ngritur nga Virginia Giuffre kundër Ghislaine Maxwell. Ai i kishte mohuar akuzat.
Alfredo Rodriguez, ish-punonjës i Epstein, vdiq nga kanceri në vitin 2014. Më herët, ai ishte arrestuar nga FBI-ja teksa tentonte të shiste dokumente që i përkisnin Epstein.
Joe Recarey, detektivi që kishte hetuar çështjen e Epstein në Palm Beach, vdiq në vitin 2018 pas një sëmundjeje të shkurtër. Para se të ndërronte jetë, ai kishte thënë se gjatë hetimit ishte përballur me presion politik dhe se kishte frikë për sigurinë e vet.
Në vitin 2019, Thomas Bowers, bankier që kishte punuar për Deutsche Bank, u gjet i vdekur në banesën e tij në Kaliforni. Deutsche Bank kishte qenë një prej institucioneve financiare që kishte bashkëpunuar me Epstein.
Një vit më pas, producenti hollivudian Steve Bing humbi jetën pasi u rrëzua nga apartamenti i tij në Los Angeles. Bing kishte pasur kontakte shoqërore me Epstein dhe bënte pjesë në të njëjtat rrethe shoqërore.
Vdekjet e këtyre personave, të ndodhura përgjatë më shumë se një dekade, janë përdorur si bazë për teori konspirative në rrjetet sociale dhe në disa media. Megjithatë, rrethanat nuk janë të njëjta për të gjitha rastet, ndërsa për disa prej tyre autoritetet kanë përcaktuar shkaqe natyrore ose vetëvrasje.
Për këtë arsye, pretendimi se këto vdekje lidhen me veprimtarinë e Epstein mbetet kryesisht në nivel spekulativ. Deri tani nuk ka prova publike që të tregojnë se ato janë pjesë e një komploti të vetëm.
