Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë një komunikim me qytetarët përmes rrjeteve sociale, ku foli për protestën që ka mbërritur në ditën e saj të 70-të. Ai e përshkroi atë si lëvizjen më të fuqishme rinore dhe qytetare të zhvilluar në Shqipëri pas viteve ’90.
Sipas Berishës, protesta ka marrë përmasa pan-kombëtare, pasi ka bërë bashkë shqiptarët që jetojnë brenda vendit dhe ata që ndodhen në pjesë të ndryshme të botës, rreth një shqetësimi të përbashkët.
Të lidhura
None found
Ai tha se, përmes kësaj lëvizjeje, ndërgjegjja e shqiptarëve u shpreh njëzëri edhe për problematikat mjedisore. Berisha i cilësoi ato çështje jetike, ndonëse më parë, sipas tij, trajtoheshin si dytësore apo tretësore.
Kryedemokrati deklaroi se të gjithë të rinjtë shqiptarë që protestojnë kundër krimeve mjedisore meritojnë të nderohen me një dekoratë lirie. Ai vlerësoi gjithashtu frymën qytetare të protestës, të cilën e quajti të jashtëzakonshme.
Berisha theksoi se protesta kërkon largimin e Edi Ramës, të cilin e përshkroi si diktator autoritar. Ai iu referua edhe cilësimit të Shqipërisë nga të tjerë si një autokraci elektorale, term që, sipas tij, është plotësisht sinonim me diktaturën autoritare.
Duke folur për qëndrimin e Partisë Demokratike, Berisha tha se kjo forcë politike ka bërë thirrje dhe ka ndërmarrë çdo hap për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjerë të anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Ai sqaroi se demokratët janë ftuar të marrin pjesë jo si përfaqësues partie, por si qytetarë, duke respektuar tërësisht karakterin qytetar të protestës.
Ai u shpreh se i ka përkrahur pa rezerva kërkesat e kësaj lëvizjeje, pasi Partia Demokratike, sipas tij, ka zhvilluar për të njëjtat çështje një betejë të gjithanshme në parlament, në komisione, në protesta dhe në sheshe.
Lidhur me praninë e demokratëve, Berisha pranoi se ajo mund të kishte qenë edhe më e madhe. Megjithatë, ai deklaroi se shumica e pjesëmarrësve që janë përfshirë dhe vazhdojnë të jenë në protestë janë demokratë.
Sipas tij, anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së iu nevojit pak kohë për t’u përshtatur me situatën, sepse, krahas kërkesave që ai i konsideroi të drejta, në protestë u përdorën edhe slogane që barazonin Edi Ramën me Sali Berishën.
Duke shpjeguar arsyet e thirrjes së tij dhe të Partisë Demokratike për pjesëmarrje, Berisha renditi në radhë të parë drejtësinë e kërkesave të protestës. Sa u përket sloganeve, ai pretendoi se ato u përkasin armiqve të PD-së.
Kreu demokrat i konsideroi këto slogane si pjesë të “opozitës së opozitës”, të cilën e quajti vegël të qeverisë. Ai shtoi se i njëjti slogan është përhapur edhe nga grupet sorosiane, duke e lidhur këtë me armiqësinë e tij të madhe ndaj ideologjisë dhe qëndrimeve të George Sorosit.
Në përfundim, Berisha garantoi se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta mbështetur protestën.
