Dy takime janë zhvilluar mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për një marrëveshje që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve të reja.
Të lidhura
None found
Megjithatë, bisedimet e deritanishme nuk kanë prodhuar ende ndonjë rezultat konkret dhe palët nuk kanë arritur marrëveshje.
Blerim Sinani, anëtar i LDK-së, deklaroi për “Bota sot” se partia e tij kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të ekuilibruar, e cila siguron qëndrueshmëri institucionale dhe merr parasysh peshën politike të secilës palë.

Ai theksoi se një zgjidhje e tillë është kusht thelbësor, pasi një marrëveshje që nuk i përmbush këto kritere nuk do t’i shërbente as interesit të LDK-së dhe as atij të Kosovës.
Sipas Sinanit, hapësira për arritjen e marrëveshjes vazhdon të jetë e hapur, me kusht që të gjitha palët të tregojnë vullnet politik dhe gatishmëri për kompromis.
Ai shtoi se qytetarët presin ngritjen e institucioneve funksionale, por kjo nuk duhet të ndodhë me çdo çmim. Në vlerësimin e tij, marrëveshja duhet të jetë në dobi të shtetit dhe të ruajë respektin për partneritetin ndërmjet palëve.
