Seminari dyditor i FIFA-s për gjyqtarët e futbollit ka filluar sot (e premte) në Prishtinë, nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Të lidhura
None found
Ky aktivitet hap fazën përgatitore për edicionin e ri garues 2026/27, me fokus në ngritjen e nivelit teknik, fizik dhe profesional të gjyqtarëve nga Kosova.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, bëri hapjen e punimeve, ndërsa ligjëratat po zhvillohen nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy, së bashku me ekspertin e përgatitjes fizike Simon Breivik.
Në program janë përfshirë çështjet më të fundit të arbitrimit, ndryshimet e rregullave të lojës për edicionin 2026/27, shqyrtimi i incidenteve, zbatimi i VAR-it dhe integriteti i zyrtarëve të ndeshjeve. Gjithashtu trajtohen përgatitja fizike, drejtimi i lojës dhe analizimi i situatave të kampionatit vendor.
Një segment me rëndësi i seminarit u kushtohet testeve fizike, të cilat realizohen në përputhje me standardet e FIFA-s, në mënyrë që gjyqtarët të arrijnë përgatitjen maksimale për sfidat e sezonit të ri.
FFK ka deklaruar se, përmes organizimeve të këtij lloji, po vijon investimin në zhvillimin profesional të gjyqtarëve. Synimi është përmirësimi i cilësisë së arbitrimit në garat vendore dhe aftësimi i tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.
