Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, bëri të ditur se ka firmosur vendimin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Bërvenicës.
Të lidhura
None found
Gashi njoftoi se vendimi është nënshkruar sot, në pajtim me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin në fuqi, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen më 18 tetor 2026.
Ai kërkoi nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve i Bërvenicës dhe të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin e vendimit që procesi zgjedhor të realizohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe me respektim të plotë të ligjit e procedurave.
Kandidatëve dhe subjekteve politike Gashi u bëri thirrje të zhvillojnë një fushatë dinjitoze, duke konkurruar përmes programeve, ideve dhe vizionit për zhvillimin e komunës, në vend të gjuhës përçarëse ose veprimeve që dëmtojnë besimin e qytetarëve te procesi demokratik.
Njëkohësisht, ai ftoi qytetarët e Bërvenicës të dalin në zgjedhje dhe ta përdorin me përgjegjësi të drejtën e tyre demokratike. Sipas tij, pjesëmarrja e tyre do të ndihmojë në zhvillimin e një procesi të qetë, të rregullt dhe kredibil, nga i cili do të përcaktohet drejtimi i ardhshëm i komunës.
Në njoftimin e Gashit thuhet gjithashtu se ai është i bindur që këto zgjedhje do të dëshmojnë pjekurinë demokratike të institucioneve dhe qytetarëve tanë./Telegrafi/
