Futbolli në Tajlandë është përballur me një tragjedi, pasi Safwan Awae, 24 vjeç, humbi jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë një takimi miqësor mes dy skuadrave të ligës së tretë nga Tajlanda dhe Malajzia.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 4 gusht në stadiumin Santiphap, në një moment kur ndeshja po luhej mes reshjeve të dendura dhe kushteve të vështira atmosferike të sezonit të musonit.
Të lidhura
None found
Videot e publikuara nga incidenti tregojnë se rrufeja e goditi drejtpërdrejt futbollistin, i cili u rrëzua menjëherë pa ndjenja në fushë.
Personeli mjekësor ndërhyri pa vonesë dhe kreu reanimim kardiopulmonar (CPR), por 24-vjeçari nuk mundi të mbijetonte. Ai ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital, si pasojë e plagëve dhe djegieve të rënda të shkaktuara nga rrufeja.
Goditja nuk preku vetëm viktimën. Dymbëdhjetë futbollistë të tjerë që ndodheshin në fushë pësuan djegie dhe lëndime të ndryshme, ndaj u transportuan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Azia Juglindore ndodhet aktualisht në periudhën kulmore të sezonit të shirave, i cili nis në maj dhe përfundon në tetor. Kjo periudhë shoqërohet shpesh me stuhi dhe shkarkime të fuqishme elektrike.
Protokollet e FIFA-s dhe UEFA-s parashikojnë ndërprerjen e ndeshjeve dhe largimin e njerëzve nga fusha kur aktiviteti i rrufeve konstatohet brenda një distance prej 8 deri në 13 kilometrash. Pavarësisht këtyre rregullave, në këtë rast ngjarja tragjike nuk u shmang.
