Donald Trump po e konsideron zëvendëspresidentin JD Vance si një prej kandidatëve të mundshëm për ta pasuar në garën presidenciale të vitit 2028, sipas një raportimi të ri.
Të lidhura
None found
“The Washington Post” shkruan se presidenti amerikan e ka mbështetur së fundmi idenë e kandidimit të Vance gjatë një takimi me donatorë, të zhvilluar privatisht në Zyrën Ovale.
Sipas dy personave që kanë dijeni për bisedën, Trump mësohet të jetë shprehur gjatë takimit: “Në fund të fundit, ne duhet të zgjedhim JD-në”.
Presidenti nuk ka shpallur deri më tani publikisht një mbështetje zyrtare për asnjë kandidat në zgjedhjet e vitit 2028. Ai ka përmendur si JD Vance, ashtu edhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ndërsa në disa raste ka bërë me shaka komente për një mandat të tretë presidencial.
Një raportim i mëparshëm tregonte se Trump është shfaqur më i hapur ndaj skenarit të kandidimit të Vance, i ndikuar nga daljet e fundit publike të zëvendëspresidentit dhe transformimi i imazhit të tij.
Pavarësisht kësaj, disa njerëz të afërt me Trumpin vlerësojnë se është tepër herët për të pohuar se presidenti ka marrë një vendim përfundimtar.
“Kushdo që mendon se kjo çështje është mbyllur përfundimisht, ose po e ekzagjeron, ose nuk e njeh mirë presidentin”, deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
I njëjti burim bëri të ditur se Trump ka shqyrtuar në biseda private edhe mundësinë e një gare ndërmjet Vance dhe Rubio. Sipas zyrtarit, gjatë një fluturimi me Marine One muajin e kaluar, presidenti u ka kërkuar bashkëpunëtorëve mendimin për një përballje të mundshme mes dy republikanëve.
Edhe gjashtë këshilltarë të tjerë që janë pjesë e rrethit politik të Trumpit kanë theksuar se është ende shumë shpejt për të përcaktuar se cili kandidat do ta sigurojë mbështetjen përfundimtare të presidentit në vitin 2028.
Një këshilltar i Trumpit u shpreh se presidenti “e ka vendosur privatisht që Vance do të jetë trashëgimtari i Partisë Republikane”. Megjithatë, ai shtoi se nuk është ende e qartë nëse ky qëndrim do të shndërrohet në përkrahje zyrtare gjatë fushatës.
Po sipas këtij këshilltari, Trump do të preferonte ta shihte edhe Rubion duke konkurruar përballë Vance. Ndërkohë, mbetet e panjohur nëse Rubio do të pranonte një rol si kandidat për nënpresident në një biletë të udhëhequr nga Vance në vitin 2028.
