Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të përfundojë konstituimin brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Sipas tij, ky proces përfshin edhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Të lidhura
None found
Zemaj ka paralajmëruar se tejkalimi i këtij afati, apo çdo interpretim i ndryshëm, mund të shkaktojë krizë kushtetuese në vend.
“Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, çka nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çdo interpretim tjetër ose shtyrje përtej periudhës 30-ditore, e cila nis nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor, na çon në krizë kushtetuese”, ka deklaruar Zemaj.
Duke folur për përfundimin e afatit, ai ka thënë se, bazuar në interpretimin dhe vlerësimin e tij, koha kushtetuese skadon gjatë ditës së sotme. Zemaj është shprehur se ende shpreson për një zhvillim pozitiv dhe për arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Sipas interpretimit dhe gjykimit tim, e gjithë koha kushtetuese përfundon sot. Nëse kalojmë në një fazë tjetër, për të cilën nuk ka interpretim shtesë të vendimit të Kushtetueses apo ndonjë sanksion, shpresoj dhe besoj se gjatë ditës së sotme mund të ketë një lëvizje pozitive”, tha ai.
I pyetur nëse LDK-ja ishte e përfshirë në ndonjë skenar për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit, Zemaj mohoi se partia kishte pasur dijeni për një veprim të tillë.
“Jo, ne nuk kemi qenë të njoftuar apo të informuar për këtë. Gjithçka që ndodhi u pa edhe gjatë seancës kuvendore, ku pritej vetëm deklarimi i emrit, pasi në seancën konstituive nuk zhvillohet debat”, tha Zemaj.
